Natyra e qëllimit

Qëllimi i njeriut nuk është shqiptimi i fjalëve, “Kam për qëllim të bëj këtë e atë.” Është një vërshim i frymëzuar nga Allahu që kaplon të gjithë zemrën. Disa herë është i kollajtë, herë të tjera paksa i vështirë. Një njeri, zemra e të cilit është tërësisht e nënshtruar, e ka të kollajtë t’i pastrojë qëllimet çdoherë. Zemra e një njeriu të tillë gjithmonë priret drejt rrënjëve të mirësisë, të cilat lulëzojnë me kryerjen e veprave të mira.
 
Sa për ata, zemrat e të cilave anohen dhe përfshihen nga çështjet e kësaj bote, do ta kenë të vështirë t’i pastrojnë qëllimet, madje edhe adhurimet e përhershme mund t’u vështirësohen e t’u bëhet e mundimshme kryerja e tyre.
 
Profeti (a.s) na rrëfen: “Veprat gjykohen sipas qëllimeve, dhe gjithsecili do të shpërblehet sipas asaj që ka pasur qëllim. Kështu, ai që është shpërngulur për hir të Allahut dhe të dërguarit të Tij, ajo shpërngulje do të shpërblehet sikur të jetë bërë për Allahun dhe të Dërguarin e tij. Shpërngulja e kujt ka qenë për ndonjë interes të kësaj bote apo për t’u martuar, shpërngulja e tij do të jetë për atë qëllim që ka pasur.”
 
Fjalët, “veprat gjykohen sipas qëllimeve”, kanë kuptimin që veprat e kryera në përputhje me sunetin do të pranohen dhe shpërblehen vetëm nëse qëllimi në kryerjen e tyre është i sinqertë. Ashtu si edhe fjalët, “gjithsecili do të shpërblehet sipas asaj që ka patur si qëllim”, do të thotë se shpërblimi për një vepër varet nga qëllimi për të.
 
Kështu pra, vepra që në dukje janë të ngjashme, mund të jenë të ndryshme, sepse qëllimet për kryerjen e tyre ndryshojnë në gradë mirësie dhe ligësie, nga një njeri tek tjetri.
 
Qëllimet e mira nuk e ndryshojnë natyrën e veprave të këqija. Askush nuk duhet ta keqinterpretojë domethënien e hadithit e të mendojë se qëllimet e mira mund t’i bëjnë të pranueshme veprat e liga. Thënia e mësipërme e Profetit (a.s), lidhet posaçërisht me kryerjen e adhurimeve dhe veprat që janë të lejueshme, por jo me të ndaluarat. Adhurimi dhe veprat e lejuara mund të kthehen në të ndaluara për shkak të qëllimeve pas tyre, (d.m.th nëse kanë tjetër qëllim përveç kënaqjes së Allahut) dhe veprat e lejuara mund të shndërohen në të mira apo të liga, varen nga qëllimi për kryerjen e tyre.
 
Çdo vepër e lëvdueshme duhet t’i ketë rrënjët në qëllimin e sinqertë, vetëm atëherë mund ta meritojë shpërblimin. Parimi thelbësor duhet të jetë që vepra të kryhet si adhurim vetëm ndaj Allahut të Madhërishëm. Nëse qëllimi është mburrja, kapardisja, atëherë këto vepra adhurimi do të shndërohen në vepra mosbindjeje. Sa për veprat e lejuara, ato të gjitha kryhen për qëllime të caktuara që mund t’i kthejnë ato në vepra të mira, e që mund ta afrojnë njeriun me Allahun e t’i sigurojnë atij të mirat e kësaj afërsie me Të.
Pin It