Njeriu i besimit

Njeriu i besimit është përfaqësuesi i cilësive më të përsosua njerëzore. Ai është hero i zemrës, i shpirtit, i ndërgjegjes dhe i arsyes. Duke e gjykuar prej vlerave që përfaqëson dhe nga praktika e qindra-mijëra udhërrëfyesve gjatë gjithë historisë së kësaj rruge plot dritë, njeriu i besimit na shfaqet me karakteristikat më të vlerësuara nga ndërgjegjja njerëzore. Besimtari i vërtetë nuk fut asgjë tjetër veç dashurisë së Allahut në zemër, që në botëkuptimin e tij ajo është fron veçse për Zotin, por nga ana tjetër, për hatër të Zotit, ai i hap zemrën gjithë qenies.

Ai zotëron një gjykim të shëndoshë me aftësi të vështrojë e të kuptojë me ndjeshmëri, përgjegjësi dhe me vizion të sigurt dhe gjithëpërfshirës çdo ngjarje, çdo veprimtari dhe çdo projekt që synon kënaqësinë e Dhuruesit Absolut dhe lumturinë e krijesave. Besimtari i vërtetë e kalon jetën të ndriçuar nga drita e Kuranit dhe e sunnetit, dhe synon devocionin dhe virtytshmërinë. Ai nuk lejon që bota e tij e brendshme të njolloset nga ndjenja e egoizmit, famës, mburrjes, pushtetit, ndjenja këto që e vrasin zemrën. Besimtari i vërtetë ka qëndrim të vendosur ndaj të keqes, dhunës, poshtërimit, diskriminimit dhe ndaj çdo lloj mizorie.

Me vetëdije të plotë dhe me dëshirë të papërshkrueshme besimtari është i përfshirë në kuriozitetin për të depërtuar në kuptimin esencial të gjërave; me dritën e besimit ai zotëron dhe njëkohësisht thellon aftësinë për të analizuar dhe interpretuar drejt fenomene të ndryshme të jetës; me mbështetjen që ka tek Zoti, ai natyrshëm, imponon besueshmëri tek njerëzit dhe rrezaton sigurinë e një njeriu ku mund të mbështetesh për gjithçka dhe prej të cilit çdokush mund të kërkojë ndihmë.

Besimtari i vërtetë është përfaqësuesi më i besueshëm i paqes universale. Duke qenë interpret i vlerave më sublime ardhur njerëzimit, besimtari nuk tenton kurrë të shkaktojë vuajtje apo mjerim për të tjerët. Për hir të asaj që përfaqëson ai është i detyruar të jetë simbol i sigurisë, garancisë dhe përkrahjes. Nuk mund të perceptohet që në veprimtarinë e tij të ketë gjurmë të dhunimit fizik apo shpirtëror të dikujt tjetër, ç’e do që kjo është në masën e të përfaqësuarit të tij siç duhet të cilësive të besimtarit.

Besimtari është i vetëdijshëm që besimi është forca më e madhe që ekziston nën qiellin e kësaj bote. Besimtari e shikon besimin si dritë dhe si forcë. Ai ndjen se përftimi i besimit të vërtetë i mundëson atij të sfidojë gjithë botën, madje në varësi të fuqisë së besimit që zotëron, gjithë universin. Sepse besimi në thelb ka lidhjen me Zotin  që bën të domosdoshëm njësimin (teuhidin), njësimi sjell dorëzimin në vullnetin e Tij. Një besimtar që i dorëzohet me besim të palëkundur Atij që mban në dorë frenat e gjithkujt dhe gjithçkaje, mbështetet në fuqinë e tij dhe vështron me kureshtje dhe ngazëllim surprizat, që Zoti i vet i ka përgatitur në këtë udhëtim të gjatë.

Besimtari është përherë në “luftë” me veten për të larguar nga bota e tij e brendshme urrejtjen, smirën, xhelozinë, hakmarrjen dhe çdo ngacmim djallëzor, për t’i lënë vendin ndjenjave më të pastra të besimit, dashurisë dhe çiltërsisë. Ai do dashurinë dhe është armik i betuar i armiqësisë dhe urrejtjes. Duke u marrë me rregullimin e gabimeve të veta, njeriu i besimit mbyll sytë ndaj gabimeve të të tjerëve, aq sa ndërsa bëhet prokuror i gabimeve të veta, ai kthehet në një avokat për të tjerët.

Besimtari prehet në paqe e qetësi edhe kur është i rrethuar nga motive dhimbjeje e pikëllimi. Për shkak të lidhjes së fortë që ka me Zotin, ai është në gjendje të dëbojë çdo re hidhërimi. Në momentet më pikëlluese, një shpirt i tillë është në gjendje që me gjuhën e zemrës së vet të recitojë poemat e lumturisë.

Besimtari është i qartë që kjo botë nuk është vendi i kënaqësive dhe shpërblimit, por është sheshi i shërbimit dhe provimit. Prandaj ai nuk llastohet për arritjet sikundër nuk bëhet pesimist për humbjet dhe fatkeqësitë. Besimtari i vërtetë zotëron një zemër të ndjeshme si e pëllumbit, e cila rreh me ritme të koordinuara mes frikës dhe shpresës. Ai është i dashuruar me Zotin dhe ndërsa dridhet nga frika se mos humbasë këtë dashuri, jeton gjithmonë me shpresën e mëshirës së pakufishme të Tij.

Çdo gjë në këtë botë ka domethënien e vet për besimtarin dhe mbi të gjitha është argument për ekzistencën, emrat dhe atributet e Krijuesit. Universi me çdo grimcë që e përbën atë, Kurani me çdo verset të tij, Profetët dhe veçanërisht Profeti Muhamed (a.s.) me mesazhin dhe mënyrën e jetës që jetoi dhe së fundmi ndërgjegjja njerëzore me të gjithë thellësitë e saj janë përmbledhës të argumenteve që të tregojnë e të çojnë tek Allahu, që të bëjnë besimtar.

Prandaj pozita më e lartë në këtë botë për një mysliman të vërtetë është të jetojë si besimtar i thjeshtë dhe që Allahu të jetë i kënaqur prej tij.

 

Pin It