Që kudo të sundojë paqja

Edhe pse bota mbarë predikon paqen, ajo vazhdon t’i mungojë njeriut. Njerëzit shpeshherë kujtohen për të vetëm kur privohen prej saj, por vazhdimësia e egoizmit të këtij vizioni nuk mund të konsiderohet si zgjidhje shpresëdhënëse për të ardhmen.

 
Paqja nuk mund të shihet si e cenuar vetëm kur shpërthejnë konfliktet, por ajo është e tillë edhe kur individi devijon nga natyrshmëria e tij paqësore, sepse është rrjedhim i ekuilibrit dhe harmonisë. Njerëzia do të ketë paqe atëherë kur individët e saj do të jenë paqësorë me veten e tyre, me shoqërinë dhe me Zotin.
 
Në këtë këndvështrim, Islami si fe e harmonisë në këtë gjithësi të madhe, përfshin të gjithë elementët, që nga grimca e imët e deri tek llojet më të përsosura të jetës së ndërlikuar.
 
Jetën, Islami e konsideron si një harmoni të gruar në paqe. Paqja në Islam është një koncept gjithpërfshirës për mbarë njerëzinë, fillon me botën e brendëshme të individit, plotësohet me marrëdhëniet e tij sociale dhe me Krijuesin. Duke qenë se paqja, është epiqendra e gjithë vizionit islam, ajo pret kontribut nga të gjithë.
 
Njeriu krijon paqen me vetveten, e kjo duke balancuar raportin e domosdoshëm të qenies së tij trup-shpirt, nëpërmjet besimit, ai (njeriu) krijon paqen me shoqërinë dhe Zotin, e kjo nëpërmjet parimeve të besimit.
 
“Bashkëpunoni me respekt dhe devotshmëri”, thuhet në Kuranin famëlartë.
 
Madje edhe mënyra e gjykimit të njeriut është thellësisht paqësore, për faktin se ndalohet paragjykimi për tjetrin.
 
Njeriu përveç të tjerash në Islam është në paqe edhe me natyrën, duke e konsideruar ekologjinë të rëndësishme për jetën. “Dhe mos bëni çrregullime në Tokë, pasi është vënë rregulli në të.” (El-A’raf, 56)
 
Islami nuk e sheh veten veçse si hallka e fundit e komunikimit të Zotit me njeriun, vazhdimësi dhe plotësim i vargut të gjatë të mesazheve hyjnore, që shoqërojnë njerëzinë përgjatë historisë, prandaj edhe trajtimi që i bën Islami besimeve të tjera, bazohet në respekt, tolerancë dhe paqe.
 
“Ju keni fenë tuaj (që i përmbaheni), e unë kam fenë time (që i përmbahem)!”
(El-Kafirun, 6), “Në fe nuk ka dhunë, është sqaruar e vërteta nga e kota…” (2:256)
 
Islami është rruga e paqes, harmonisë dhe vëllazërimit njerëzor. Rrënja e fjalës “islam” është silm, që në arabisht do të thotë paqe. Kjo fjalë përmendet në Kur’an 140 herë në forma të ndryshme.
 
Edhe vargu i parë i Kur’anit flet për paqen “Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit”, varg i cili përsëritet në Kur’an 114 herë. Kjo, për të treguar rëndësinë e veçantë që i jep Islami vlerave të tilla, si mëshira dhe bamirësia, vlera që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me paqen.
 
Koncepti mbi paqen shfaqet dhe në shumëllojshmërinë e përshëndjetjeve, si përshëndetja mes njerëzve “Paqja qoftë mbi ju”, apo përshëndetja në përfundim të namazit: “Paqja, bekimi dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ju”… Përshëndetja e engjëjve në parajsë është “Paqe”. Paqe është edhe një nga emrat e Allahut (xh.sh.)
 
E pra, të gjithë kemi shumë ç’ti themi njëri-tjetrit për paqen, por më e rëndësishmja është ta transmetojmë atë tek të tjerët. Kjo besoj është sfida jonë e përbashkët.
 
 
 
Pin It