Roli i fesë dhe familjes në parandalimin e krimit në shoqëri

Islami i ka sjellë të gjitha parimet e shëndosha për mirëqënien e familjes. Këta parime janë më shumë të karakterizuara në përcaktimet e hollësishme që të nxjerrin një familje të mirëfilltë të pastër e legale, sepse bashkimi familjar duket si bazë e cila e lidh bashkësinë islame dhe është e pacënueshme dhe e paprekshme kundër krimit dhe përhapjes së tij.

Faktet e pakrahasueshme tregojnë se sistemet shoqërore të ndërtuara nga njeriu, pa udhëheqjen e Allahut, i kanë sjellë njerëzimit më shumë të këqija se sa të mira. Sot, bota ballafaqohet me të gjitha llojet e sëmundjeve, trazirave shoqërore, varfërisë, prostitucionit, vrasjeve, narkomanisë, alkoolit, divorcit, vetëvrasjeve, sidës dhe kriminalitetit rinor. Shumë njerëz i kanë idetë e tyre të veçanta rreth faktorëve që mund ta shkaktojnë krimin, dhe hulumtojnë për të zbuluar mundësitë e parandalimit dhe pengimin e tij.

Disa mendojnë se mentaliteti dhe kushtet psikologjike të individit janë shkaktarë të krimit, të tjerë mendojnë se familja është problemi kryesorë, e disa të tjerë mendojnë se shoqëria e papërshtatshme është shkaku kryesor i cili i çon të rinjtë te krimi.

Sidoqoftë, faktorët kryesorë të krimit mund të jenë tre; vetë personi, shokët e tij dhe familja me statusin e saj social dhe edukativ, si dhe rruga me të cilën bashkëshortët rrisin fëmijët e tyre.

Mentaliteti dhe kushtet psikologjike të individit janë faktorët kryesorë të krimit. Shoqërimi me shokë të këqinj dhe rrethi i keq, ka efektet e veta negative tek i riu i sotëm, veçanërisht nëse ai është personalitet i dobët. Grupe të tilla shokësh të cilët nuk kanë qëllime për jetën, madje janë shumë të rrezikshëm.

Edukimi familjar

Feja Islame i nxit prindërit për kujdesin dhe edukimin e fëmijëve të tyre. Prindërit janë shkaktarë për ardhjen e fëmijëve të tyre në këtë botë. Fëmijët do të rriten në krahët dhe kufijtë e diturisë, intelegjencës, moralit dhe karakterit të tyre. Islami u garanton sukses atyre nëse e çojnë në vend këtë detyrë; e në qoftë se i shmangen edukimit të fëmijëve, duke i lënë pas dore, Islami u sqaron se do të kenë një përfundim të hidhur. Allahu në librin e Tij thotë: “O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej zjarrit, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët…’’ (Kur’ani, 66/6)

Prindërit kanë për detyrë t’i ndihmojnë fëmijët e tyre, t’i edukojnë e t’u tregojnë atyre qëllimet e kësaj jete, sepse një gjeneratë pa qëllime jetësore është sikurse një plagë e rastësishme. Paralelisht me zhvillimin e vetive pozitive të fëmijëve, prindërit duhet që atyre t’u bëjnë të urryer çdo lloj gënjeshtre, mashtrimi, urrejtje dhe bindshem t’i edukojnë që të largohen nga gjërat e ndaluara nga Krijuesi.

Prindërit janë përgjegjës para Allahut (xh.sh.) për edukimin e drejtë fetaro-edukatriv të pasardhësve të tyre, ngulitjen e adhurimit të Allahut dhe ndjekjen e rrugës së Tij në jetën e përditshme. Mësimi dhe ngritja e rinisë islame është obligim për çdo familje. Në fakt, shtëpia është shkolla e parë në të cilën të rinjtë marrin bazat e të menduarit dhe edukatës mbi fenë dhe të ardhmen e tyre.

Lind pyetja: A i plotësojnë sot familjet tona përgjegjësitë që kanë për edukimin e fëmijëve të tyre me edukatë fetare. A është në gjendje metoda që kanë zgjedhur ata në rritjen e fëmijëve t’i rezistojnë realitetit dhe krimeve të cilat i rrethojnë? A gjejnë fëmijet tanë në shtëpitë tona, këshilla të mjaftueshme, shembuj të mirë për mënyrën e jetesës?

Një gjë e cila konsiderohet shumë e dhimbshme, është se disa familje përfundimisht e kanë braktisur rolin e tyre në edukimin fetar të fëmijëve. Çfarëdo e metë dhe mungesa e edukatës fetare në edukimin e fëmijëve, do të ketë efekte negative në jeten e të rinjve dhe në përbërjen e bashkësisë dhe shoqërisë. Po. Po qe se familja është e shkatërruar, si do të mund mbijetojë Umeti?

Prindërit duhet të interesohen për njerëzit me të cilët shoqërohen fëmijët e tyre. Njeriu ndikohet prej atij me të cilin shoqërohet, përfiton nga mendimet, karakteristikat dhe veprimet e tij. Profeti (a.s.) ka thënë: “Shembulli i shokut të mirë dhe atij të keq, është si mbajtësi i miskut (erë e këndshme) dhe i farkëtarit, mbajtesi i miskut ose te parfymos, ose të shet erë të këndshme, ose së paku prej tij vjen erë e mirë, kurse farkëtari ose të djeg teshat, ose prej tij vjen erë jo e këndshme (prej qymyri) (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).

Shoqërimi me njerëz të mirë, hap rrugën e përfitimit e të kënaqësisë, ndërsa shoqërimi me njerëz të këqinj, i gjason farkëtarit i cili ose të mbush me erë të keqe ose të djeg.

Nëse i riu shoqërohet me shokë të këqinj, ai e ka të vështirë të shpëtojë nga e keqja e tyre. Ai ose do të veprojë sipas ideve të tyre të prishura, ose do t’i mbillet dyshimi në fenë dhe edukatën të cilën e ka fituar nga prindërit.

Allahu (xh.sh.) na njofton se ditën e Kijametit, njeriu do të pendohet për faktin se është shoqëruar me njerëz të këqinj. “Atë ditë zullumqari do t’i kafshoi duart e veta dhe do të thotë: “I mjeri unë, ta kisha marrë rrugën e Pejgamberit. O shkatërrimi im, ah, të mos e kisha bërë filanin mik! Në të vërtetë, pasi e gjeta rrugën e drejtë, ai më largoi prej asaj, e djalli është ai që njeriun e humb dhe e lë të vetmuar.” (Furkan: 27-29)

 

 

 

 

 

 

 

 

Pin It