Të shmangim korrupsionin

Për t’u bërë një vend ku ia vlen të jetohet, ku ka kuptim liria, ne duhet të luftojmë që të shmangim të gjitha dukuritë negative, ndër to edhe korrupsionin.

Fakt është se korrupsioni është përditshmëri e jetesës tonë dhe po ia zë frymën shoqërisë në të gjitha sferat e jetës. Kjo dukuri është zmadhuar shumë në bashkësinë tonë ku jetojmë e militojmë.

Fjala “korrupsion” vjen nga folja korruptoj dhe nënkupton veprimet që prishin dikë nga ana morale dhe bëjnë që të marrë rrugë të keqe, e shtyjnë dikë, me anë të marrjes së dhuratave, ryshfeteve etj., që të veprojë në kundërshtim me detyrën që ka, të shkelë ligjet e tij për të bërë shërbime në formë ilegale. Sot korrupsioni (latinisht corrupteve –prish, shpërdoroj dikë apo diçka), është bërë një nga emrat më të njohur për qytetarët dhe paraqet brengën e tyre më të madhe, duke qenë se është ndër dukuritë më të përfolura negative.

Arsyeja e parë e përhapjes së korrupsionit është mungesa e ligjeve. Edhe ato ligje kryesore që janë miratuar, në fakt, nuk zbatohen. Është e domosdoshme që në shoqërinë tonë të dihen saktësisht të drejtat e përgjegjësitë e qytetarëve dhe të qeverisjes. Me sa shohim e dimë, shoqëria jonë në të cilën është rrënjosur “kultura e korrupsionit”, nuk mund të kryejë asgjë pa dhënë ryshfet.

Falë Zotit të Madhëruar që jemi vend i lirë, jemi qytetarë të lirë dhe duhet të marrim përgjegjësitë për këtë vend. Për t’u bërë një vend ku ia vlen të jetohet, ku ka kuptim liria, ne të gjithë së bashku duhet të luftojmë që të shmangim të gjitha dukuritë negative, ndër to edhe korrupsionin.

Problem tjetër është se, shoqëria jonë është shoqëri post totalitare, ku ka qenë e përcaktuar ideja që njerëzit të jenë ateistë. Njerëzit që nuk i frikësohen Zotit, praktikisht frikësohen vetëm prej policisë dhe administratës, por në momentin ku nuk ka polici dhe administratë, ata nuk lënë gjë pa bërë.

Kusht i parë për të dalë nga kjo situatë është forcimi i institucioneve. Kusht i dytë, është ndjekja ligjore e njerëzve të korruptuar. Dhe së fundi, projekte të qarta të edukimit qytetar.

Prandaj mësimi fetar është padyshim kushti themelor që së paku, gjeneratat e reja që rriten në vendin tonë të mësojnë vlerat themelore, të mësojnë thjesht se çka është e mirë dhe çka është e keqe, çka është hallall dhe çka është haram, çka është e drejtë dhe çka është e padrejtë, sepse nëse nuk fillojmë të edukohemi në këtë frymë, atëherë ekziston rreziku i gjenerimit të kulturës së amoralitetit, të korrupsionit dhe të punëve të mbrapshta.

Korrupsioni pengon gjithçka, sepse është si laku, një lloj litari në fyt që shtrëngon gjithnjë e më shumë. Prandaj, si besimtarë muslimanë, duhet ta refuzojmë këtë të keqe me fuqinë, fjalët dhe zemrën tonë.

Askush nuk është më fisnik dhe më bujar se Allahu i Lartmadhëruar. Ai krijoi fisnikërinë dhe bujarinë. Prandaj prej emrave të tij të bukur janë dhe më Fisniku dhe më Bujari, i Lartmadhëruari krijoi edhe qenien njerëzore, të cilën e ngriti mbi të gjitha krijesat e tjera. Njeriu duhet të jetë i bindur se askush nuk ishte më fisnik ndaj tij se sa Allahu i Madhëruar, i cili në Kuran thotë: “Ne, vërtet, nderuam pasardhësit e Ademit, njerëzit, u mundësuam të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira, i vlerësuam ata (i lartësuam) ndaj shumicës së krijesave që Ne i krijuam”.

Megjithatë, për shkak të dobësive dhe aftësive të kufizuara të tij, njeriu e ka të pamundur të kuptojë përpikmërinë e ligjeve të Allahut. Ky realitet e bën të domosdoshme që njeriu të ketë katalogun udhëzues që do ta orientonte për të tejkaluar sfidat e natyrës. Padyshim që ky katalog është Kurani fisnik, origjina e të cilit është ruajtur ashtu siç u shpall nga Allahu i Madhëruar.

Allahu na bëri të qartë se cilat duhet të jenë raportet e njeriut me Krijuesin në veçanti dhe në përgjithësi raportet me krijesat e tjera në univers. Si qenie shoqërore, njeriu duhet t’i përmbahet ligjeve të shoqërisë. Ai nuk duhet të bëhet shkaktar i shkatërrimit dhe i minimit të bashkëjetesës ndërnjerëzore, por në mënyrë të vazhdueshme duhet të kontribuojë për ngritjen e mirëqenies dhe standardeve jetësore, për ngritjen e moralit dhe për të mirën e tij në këtë botë dhe në botën tjetër. Lind pyetja: A ngrihen standardet duke ngritur moralin apo duke korruptuar njëri-tjetrin?

Allahu i Madhëruar në Kuranin fisnik thotë: “O ju që besuat, mos e hani mallin e njëri-tjetrit në mënyrë të pandershme, përveç tregtisë në të cilën keni pajtueshmëri mes jush.”

Në këtë ajet sëbashku me parimet e tjera të Islamit, duket qartë se pasuria e njeriut është e shenjtë si jeta dhe nderi i tij, dhe nuk lejohet në asnjë mënyrë që të shfrytëzohet pasuria e tjetrit, vetëm nëse është me dëshirën e tij. Çdo manipulim ose metodë tjetër për të prekur pasurinë që i takon tjetrit është e mallkuar dhe e gjykuar me dështim. Këtë e ka bërë të qartë edhe Pejgamberi ynë (a.s.), i cili thotë: “Allahu e mallkoftë atë që jep ryshfet dhe atë që e merr atë.”

Ndërsa ilaçi më i mirë për këtë sëmundje prej së cilës vuan shoqëria jonë –korrupsioni, është morali i shëndoshë, mirëpo kusht për moralin e shëndoshë është besimi i shëndoshë.

Nuk mund të mbizotërojë rendi pa mbizotëruar ligji, nuk mund të mbizotërojë ligji pa mbizotëruar morali dhe nuk mund të mbizotërojë morali pa mbizotëruar besimi.

E lusim Allahun e Lartësuar që ta shërojë sa më shpejt shoqërinë tonë prej kësaj sëmundjeje dhe sëmundjeve të tjera, që të kemi një shoqëri njerëzore me plot kuptimin e fjalës!

Pin It