Zhvillohet simpoziumi ndërkombëtar (online) me temë: “Roli i Institucioneve Bamirëse në Promovimin e Paqes Sociale”

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në bashkëpunim me Këshillin Botëror të Komuniteteve Myslimane dhe Kolegjin Universitar “Bedër”, zhvilluan sot Simpoziumin Ndërkombëtar (Online) me temë: “Roli i Institucioneve Bamirëse në Promovimin e Paqes Sociale”.

I zhvilluar nëpërmjet platformës online (zoom) ky simpozium mblodhi sëbashku liderë fetarë, drejtues institucionesh, akademikë dhe besimtarë të shumtë nga vende të ndryshme të botës, veçojmë këtu folësin kryesor të këtij simpoziumi, H. E. Dr. Hamdan Almazrouei, Kryetar i Bordit të Drejtorëve, “Gjysmë Hëna e Kuqe e Emirateve të Bashkuara Arabe”, Dr. Mohamed Beshari, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Botëror të Komuniteteve Myslimane, Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Rektorin e Kolegjit Universitar “Bedër”, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, si dhe Msc. Hysni Skura, pedagog në të njëjtin institucion arsimi, modetaror i këtij simpoziumi.

Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i KMSH-së, z. Spahiu, pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, theksoi rolin e shoqatës “Hëna e Kuqe” në veçanti dhe të shtetit të Emirateve të Bashkuara Arabe në përgjithësi, për kontributin e tyre të vazhdueshëm në ruajtjen e paqes sociale nëpërmjet bamirësisë.

“Për katër dekada institucioni “Hëna e Kuqe e Emirateve të Bashkuara Arabe” e ka ushtruar aktivitetin e saj në të katër anët e botës duke iu hapur zemrën mbarë njerëzimit dhe duke u bërë ambasadori më i denjë i një shteti që harmoninë e ka bërë slogan dhe bamirësinë qëllimin e tij” – tha z. Spahiu gjatë fjalës hapëse.

Më tej, ai ndau me të pranishmit kontributin ndër vite të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në promovimin e harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare në shoqëri si dhe ndihmën dhe solidaritetin ndaj njerëzve në nevojë.

Ndërsa Rektori i Kolegjit Universitar “Bedër”, Prof. Gjana, ndau me të pranishmit rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të paqes sociale në shoqërinë bashkëkohore.

“Kudo në botë, shtetet kërkojnë siguri, paqe, qëndrueshmëri dhe lumturi për njerëzit e tyre. Për këtë arsye roli i institucioneve fetare, universiteteve, organizatave të bamirësisë, medias dhe i shoqërisë civile, është shumë i rëndësishëm për të kapërcyer konfliktet kudo në botë dhe për të promovuar paqen.” – u shpreh z. Gjana.

Simpoziumi vijoi më tej me referimin e Dr. Hamdan Almazrouei, i cili foli mbi aspekte të shumta aktuale të rolit të institucioneve bamirëse në promovimin e paqes sociale kudo në botë.

“Pasuria është dhuratë nga Krijuesi i Gjithësisë. Nisur nga kjo të varfërve u lind e drejta të përfitojnë nga obligimi i të pasurve për të ndihmuar nevojtarët.” – veçoi ai gjatë referimit.

Në përfundim të këtij organizimi, kryetari Spahiu sëbashku me Dr. Beshari, përmblodhën përfundimet e simpoziumit dhe falënderuan të pranishmit për pjesëmarrjen si dhe referuesit për mesazhet e tyre.

 

 

 

Pin It