10 ditët e para të muajit Dhulhixhe

Melodi e Zemrës e filloi këtë sezon duke hedhur dritë mbi vlerën dhe rëndësinë e 10 ditëve të para të muajit Dhulhixhe të cilat ndryshe konsiderohen si koha e haxhit. Kishim të ftuar në studio profesorin e nderuar të Shkencave Islame z. Veton Tulla.

Profesori e nisi bisedën duke na kujtuar se Zoti xh.sh nga të gjithë muajt zgjodhi muajin e Ramazanit, nga të gjitha netët zgjodhi netët e fundit të muajit të Ramazanit dhe nga të gjitha ditët Zoti xh.sh. zgjodhi 10 ditët e para të muajit të Dhulhixhes.

Rëndësia e këtyre ditëve duket qartë  në ajetin Kur’an-or: ” Betohem në agimin, betohem në dhjetë ditët (netët), betohem në çiftin dhe tekun ” (Fexhr 1-3)

Profesor i nderuar gjatë bisedës citoi hadithin: “Veprat e mira nuk mund të marrin vlerë më shumë  seç mund të kenë në ditët e Dhul Hixhes.” dhe në këtë kontekst rikujtoi se disa nga punët më të mira që mund të bëhen në këtë periudhë të begatë e të zgjedhur  do të ishin:

Së pari Sinqeriteti i cili konsiderohet si një  punë më vete dhe qëndron mbi çdo gjë tjetër nëse duam që adhurimi ynë të shkojë tek Allahu. Më tej vjen namazi, navigatori i shpëtimit sikurse thuhet në Kur’an, në suren Mu’minun: “është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët, ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm në namazin e tyre.  ”

Abdullah ibn Mesudi e ka pyetur profetin a.s. se cila është puna më e mirë me të cilën Allahu është i kënaqur dhe profeti a.s. i përgjigjet: “Namazi në kohën e tij”.

Profeti a.s. ka preferuar agjërimin si një punë shumë të vlefshme gjatë këtyre ditëve. Agjërimi është nga punët më të lavdëruara tek Zoti dhe mund të themi se është adhurimi më i sinqertë, duke i’u referuar hadithit kudsij: “Çdo punë, çdo vepër është për njeriun përveç agjërimit, agjërimi është për Mua”. Më tej profesori foli për pendimin i cili mbart një rëndësi të veçantë për të bërë llogaritë me veten e për t’u përmirësuar me lejen e Zotit xh.sh. si dhe për lutjen e cila në këtë 10 ditësh merr një dimension akoma më të madh sepse këto janë ditë të caktuara nga Zoti xh.sh. që besimtari t’i afrohet më shumë Atij me adhurim, me lutje. Profeti a.s. thotë: “Duaja është vetë adhurimi”.

E rëndësishme është të mos harrojmë respektin ndaj prindërve, gjë për te cilën urdhërohemi në Kur’an si dhe përmendjen sa më shumë të Allahut xh.xh.

Teologu i nderuar në mbyllje të bisedës porositi që në kulmin e këtyre 10 ditëve të cilat kurorëzohen me ditën e Bajramit …të mos i harrojmë vizitat, prindërit tanë, familjet, farefisin, të afërmit, shokët, të sëmurët etj.

Kjo melodi zemre u mbyll me lutjen që Zoti të na mundësojë të gjithëve që të presim Kurban, t’i afrohemi më shumë Atij me këtë sakrificë, me këtë adhurim me aq sa të kemi mundësi,të mos ngelet sofër pa u shtruar në shtepitë e të gjithë besimtarëve, të gjithë njerëzve t’ua zgjasim dorën me aq sa kemi mundësi.

Ne ju ftojmë të dëgjoni bisedën për të mësuar më shumë rreth këtyre ditëve me shpresën që Zoti t’iu zgjerojë kohën dhe vullnetin për të vepruar sa më shumë punë të mira!

Pin It