111 vjet nga Kongresi i Manastirit e unifikimi i alfabetit

Mbushen 111 vjet nga mbajta e Kongresit të Manastirit, i cili trasoi rrugën e përdorimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Kongresi i filloi punimet, më 14 nëntor 1908 dhe zgjati deri më 22 nëntor të po atij viti në Manastir, qendër e Vilajetit të Manastirit dhe një nga qendrat më të mëdha shqiptare të asaj kohe.

Në këtë kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit. Mithat Frashëri ishte në atë kohë redaktor i dy revistave që botoheshin në Selanik: Liria dhe Dituria. Sekretare e komisionit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së Vashave në Korçë. Nënkryetar u zgjodh Grigori Cilka, nga Korça si dhe 11 anëtarë të tjerë.

Në këtë Kongres merrnin pjesë shqiptarë të të gjitha komuniteteve fetare si, myslimanë, katolike, ortodoksë, protestantë, njerëz të ditur, të bashkuar për një qëllim të madh kombëtar.

Kumtesa e mbajtur nga at Gjergj Fishta, nga Shkodra, preku të gjithë pjesëmarrësit …sa një hoxhë rendi ta përqafonte para të gjithëve. Kërkesa e kombëtaristëve shqiptarë ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin.

Kongresi vendosi me votë unanime për të lenë mënjanë alfabetin e Stambollit, dhe të shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja, alfabet që përdoret në ditët tona.

Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë, në Janinë, për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njësuar shqipe.

Kongresi vendosi ngritjen e Shtypshkronjës Shqipe në Manastir nën drejtimin e Gjergj Qiriazit, e cila u bë shpejt e njohur anembanë vendit si shpërndarëse e librave dhe gazetave shqipe.

Një pjesëmarrës i shquar në Kongresin e Alfabetit ishte studiuesi, poeti dhe atdhetari nga Shkodra, Ndre Mjeda. Tetë nga trembëdhjetë propozimet e tij u miratuan nga Kongresi i Manastirit. Ndonëse jetoi në disa vende të huaja dhe fliste 13 gjuhë, mbi gjuhën shqipe ai nuk vinte gjë tjetër.

Deri atë kohë shqipja shkruhej me disa alfabete, shumica të krijuara enkas për shkrimin e shqipes, por që kishin baza në alfabetet tjera, si latine, greke apo edhe arabe.

Alfabeti jone ka  gjithsej 36 shkronja, nga të cilat shtatë janë zanore dhe 29 janë bashkëtingëllore….

Bashkëtingëlloret e gjuhës shqipe

B       C       Ç       D       Dh     F       G       Gj      H       J        K       L       Ll      M      N

Nj      P       Q       R       Rr      S       Sh     T       Th     V       X       Xh     Z       Zh

Bashtingëlloret klasifikohen

  1. a) Sipas vendit të formimit:

– buzore: p, b, m, f, v

– dhëmbore: t, d, th, dh, ll

– alveolare: c, x, n, s, z, l, rr, r

– paraqiellzore: ç, xh, sh, zh

– qiellzore: q, gj, nj, j

– prapaqiellzore: k, g, h

  1. b) Sipas pjesëmarrjes ose jo të zërit dhe zhurmave, ndahen në:

– të zëshme: d, z, zh, x, xh, g, gj, dh, v, b, m, n, nj, j, l, ll, r, rr

– të pazëshme: t, s, sh, c, ç, q, k, th, f, p, h

Zanoret

Zanoret

A       E       Ë       I        O       U       Y

Zanoret klasifikohen

  1. a) Sipas vendit të ngritjes së gjuhës drejt qiellzës, ndahen në:

– të përparme: i, y, e

– qendrore: ë, a

– të prapme: u, o

  1. b) Sipas shkallës së ngritjes së gjuhës drejt qiellzës, ndahen në:

– të hapura: a

– gjysmë të mbyllura: ë, e, o

– të mbyllura: i, y, u

  1. c) Sipas pjesëmarrjes ose jo të buzëve në formimin e tyre, ndahen në:

– të buzërzuara: y, u, o

– jo të buzërzuara: i, ë, a, e

Ta gëzojmë alfabetin pa numër vitesh, ta flasim bukur gjuhëm tonë  e t’ia mësojmë me dashuri femijeve. Gëzuar!

Pin It