Islami ka përcaktuar për muslimanët se si të kujdesen për shëndetin e tyre, ndër të tjera edhe përmes agjërimit gjatë muajit të Ramazanit. Megjithatë, duhet theksuar se agjërimi nuk ka filluar të ushtrohet me shpalljen e Islamit. Për shekuj me radhë, njerëzit kanë agjëruar për shkaqe fetare, por edhe për arsye shëndetësore.
Agjërimi ka filluar të praktikohet ndoshta që nga fillimi i racës njerëzore. Agjërim e kanë sugjeruar shumë civilizime të lashta, dhe padyshim tre fetë qiellore. Njerëzit janë përmbajtur nga ushqimi me anë të meditimit me qëllim pastrimin e shpirtit të tyre, për të gjetur veten dhe për t’u afruar sa më afër Zotit; por edhe për pastruar trupin nga substanca të dëmshme dhe ruajtur shëndetin. Shënimet në tempujt e faraonëve në papirus tregojnë se egjiptianët e lashtë kanë praktikuar agjërimin. Hipokrati në shekullin e 5 p.e.s. shkroi udhëzime për kryerjen e agjërimit, duke vënë në dukje rëndësinë mjekësore.
Agjërimi, si metodë edukative për zhvillimin e durimit, vetëkontrollit dhe përmbajtjes ka qenë i njohur edhe tek mësues të famshëm dhe të lashtë grekë, të cilët konsideronin se kontribuon në aftësitë më të larta të të menduarit, në qetësimin e mendjes, dhe që jep një ndjenjë të mirëqenies e cila vështirë se mund të arrihet me ndonjë metodë tjetër tradicionale mjekësore.
Madje dhe shumë mendimtarë të mëdhenj kanë praktikuar agjërimin, duke filluar nga Lao Ce deri te Pitagora, Hipokrati dhe Ibn Sina, dhe për efektet pozitive të agjërimit kishin njohuri pothuajse të gjitha qytetërimet e mëparshme si asirianët, babilonasit, grekët, palestinezët dhe romakët, indianët, egjiptianët dhe të tjerët. “Nëse dëshironi që të jeni të shëndetshëm, mbylleni gojën”, kështu mund të definohet shkurt mënyra e të menduarit të shumë njerëzve të mençur gjatë gjithë historisë së njerëzimit.
Hipokrati ka folur se si njeriu ka me vete gjithnjë një mjek; por që ai ka nevojë për ndihmë gjatë veprimit. Pohimet e tij janë konfirmuar nga shumë hulumtime dhe studime se kanë pasur të bëjnë pikërisht me agjërimin. Ekspertët thonë se agjërimi i cili sjell pushimin fiziologjik të aparatit të tretjes dhe sistemit nervor qëndror, kontribuon në rikuperimin nga sëmundje të tilla si ulçerat në stomak, astma, venat me variçe, koliti, bronkiti, guri në rrugët e traktit urinar dhe të tëmthit.
“Sot, shkencëtarët gjithnjë e më shumë po e shohin agjërimin si një dukuri natyrore, pa të cilën pothuajse nuk ka asnjë mënyrë jetese të shëndetshme dhe të duhur. Përmes agjërimit, i cili duhet të bëhet një mënyrë e jetës së njeriut modern, sipas ekspertëve mund të bëjmë më shumë për shëndetin tonë, në veçanti për kondicionin psiko-fizik. Lodhja kronike, dhimbjet e kokës, fryerjet e stomakut, dispepsia dhe nervozizmi mund të thotë se trupi juaj po vuan, ajo është plot me toksina dhe ajo ka nevojë për pushim. Gjithnjë e më tepër po këshillohet një zgjidhje e lirë, krejtësisht e natyrshme – e ajo është agjërimi. Përmes agjërimit periodik mund të pastrohet dhe të rigjenerohet si sistemi i tretjes së ushqimit, ashtu edhe i tërë trupi dhe në këtë mënyrë të rifreskohet, ripërtërihet dhe rinovohet”, thotë mjeku boshnjak dr. Adem Zalihiq.
Ai thekson se krijimi i proceseve komplekse fiziologjike në trup gjatë sëmundjes, të tilla si humbja e oreksit, është në fakt rezultat i vendosjes automatike të regjimit të agjërimit që ndodh në trupin tonë. Gjithashtu, mjekësia në rast të disa sëmundjeve, sidomos atyre të organeve të tretjes, këshillon kufizimin ose ndërprerjen e plotë e marrjes të ushqimit. Pikërisht për këtë arsye agjërimi prej tre deri në pesë javë, rekomandohet si metoda më e lirë e mjekimit.