Perlat e muzikës shqiptare nën tingujt e magjishëm të violinës së Shkëlzen Dolit, kanë përcjellë emocione të shumta në sheshin ‘Skëndërbej’.
Violinisti shqiptar i Filarmonisë së Vjenës, Shkëlzen Doli, ka sjellë mbrëmjen e të shtunës në sheshin “Skënderbej” një show të mrekullueshëm muzikor unik.
I shoqëruar edhe nga instrumentistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Vjena, Doli performoi muzikë për të gjitha grupmoshat dhe të gjithë artdashësit në sheshin e tej mbushur të kryeqytetit.
Në pjesën e parë të këtij koncerti, violinisti Doli përcolli magjishëm muzikën e trevave shqiptare, si ‘ Valsi i Lumturisë’, ‘ Vajta kalova gjithë Kalabrinë + Tarantelë nga Kalabres’, ‘ Pranvera në Prishtinë’, ‘ Rrisim jetën tonë’, Këngët e rinisë’, ‘Potpuri Korçare’.
Ndërsa në pjesën e dytë të koncertit, u performuan pjesë klasike të njohura nga anëtarë të Filarmonisë së Vjenës si ‘ Shostakovich: walzer nr. 2’, ‘ Tango: Jalousie’, ‘ Liszt: Ungarische rhapsodie’, ‘Debussy: Clair de Lune’, ‘Lara: Granada’, etj.
Me projektin e tij “Albanian Soul”, violinisti Doli synon të bëjë promovimin më të madh të muzikës shqiptare jashtë kufijve. /ATA/