Ka shumë ajete-argumente të Kur’anit që e mbështesin këtë çështje.
Në Kur’an thuhet: “Në krijimin e qiejve e të tokës, në zëvendësimin reciprok të natës me ditën ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt.” (Kur’ani, Ali Imran: 190). Me të vërtetë, në lindjen dhe perëndimin harmonik të hënës e diellit, në rregullsinë marramendëse sipas së cilës ndodhin dukuritë, ka shembuj domethënës për ata që munden të mendojnë. Në lidhje me çështjen e meditimit, ky ajet është një argument evident. Profeti ynë (a.s.) urdhëron e thotë: “Sa keq për atë që e lexon këtë ajet dhe nuk mendon!” Bashkëshortja e Profetit, Ummi Seleme, thotë se ai ka qarë kur është zbritur ky ajet si dhe qante sa herë që e lexonte. Profeti, zotëria i kohës e i hapësirës, një natë, në namazin e natës, e pati kënduar këtë ajet e pati qarë. Ky dhe ajete të tjerë të ngjashëm që konsiderohen një portë e hapur për mendimin, meditimin dhe arsyetimin si dhe nga një udhëzues më vete në rrugët e hapura drejt klimës së meditimit, kanë rëndësi shumë të madhe për të treguar se cilat janë dimensionet e jetës meditative në Islam.
Në fillim është e nevojshme të dihet se ç’është meditimi. Pikësëpari, meditimi duhet të mbështetet në një informacion fillestar. Ndryshe, me një meditim të varfër, injorant, vulgar dhe mediokër nuk mund të arrihet askund. Një meditim i tillë i mbyllur sjell, me kohë, ngopje, mërzitje dhe pastaj njeriu arrin që të mos mendojë dot më.
Fillimisht njeriu duhet ta njohë shumë mirë subjektin mbi të cilin do të meditojë, specifikat që do të përbëjnë bazë për meditim duhet t’i sjellë në mendje në gjendjen e materialeve të gatshme, domethënë duhet t’i ndodhet një informacion i qëndrueshëm në mënyrë që të mundet të mendojë rregullisht e sistematikisht. Nëse njeriu i njeh qoftë edhe pak lëvizjet dhe ciklin e trupave qiellorë, marrëdhëniet e tyre me njeriun, lëvizjen dhe veprimtarinë mendjetronditëse të grimcave që përbëjnë trupin e njeriut, kur mendon mbi to, këtij mendimi mund t’i thuhet meditim.
Kurse ata që, duke vështruar kah lëvizjet e hënës e të diellit, ndiejnë ca gjëra – produkte të frymëzimeve poetike e përpiqen po kështu të thonë ca gjëra, nuk janë mendimtarë, por poetë apo ëndërrimtarë që shprehin frymëzimet apo iluzionet e tyre
Vërtet në këtë periudhë ka pasur një grusht njerëzish që i kanë ardhur rreth e rrotull materies dhe ekzistencës së saj, por edhe ata kurrë nuk kanë mundur ta njohin të vërtetën e materies. Për shembull, në shprehjet e poetëve të kësaj periudhe, të dashuruar pas natyrës, njeriu bëhet sikur po ndien parajsën, sikur po ndodhet mu në mes të saj: shushërima e ujrave që rrjedhin, vesimi i një shiu fluror, fëshfërima e gjetheve të pemëve, kënga e zogjve… Mirëpo, me që këta njerëz kanë jetuar vazhdimisht të izoluar prej fakteve, përfundimeve dhe perspektivës, kanë mbetur armiq të së vjetrës dhe injorantë të së resë. Jeta u ka kaluar me përçartje sipër mbulesës prej tenteneje të botës së dëshmisë (konkrete) dhe janë vërtitur rreth vetes sikur të ishin duke vozitur me një varkë me një lopatë të vetme. Në të gjitha anët e mendimeve të tyre mbi jetën ka një ngecje, një shteg të mbyllur dhe ajo çka këta quajnë meditim, s’është gjë tjetër veç një ankth i pashpresë mes atyre shtigjeve të zëna në të gjitha anët. Dhe natyrisht që një meditim i tillë nuk ka asnjë dobi!
Për të medituar, së pari duhet një e dhënë fillestare, informacion fillestar, duhen sinteza të reja në përputhje me bazën dhe spazma idesh mbi këto me mendimin për të kërkuar të vërtetën. Personi që mundet të mendojë me këtë sistem, mund të arrijë në mendim konkluzione gjithnjë të reja e të vazhdueshme. Pastaj, duke i bërë këto konkluzione bazë për hapa të tjerë, mendimi mund të shpërthejë përpara e, kështu, duke nxjerrë përfundime të reja prej kësaj, njeriu thellohet dhe dimensionohet në meditimin e tij.
Shkurt, si bazë fillestare të procesit të të menduarit mund të radhisim specifika të tilla si leximi, aftësimi për të kuptuar librin e gjithësisë, mbajtja hapur e zemrës ndaj frymërave që vijnë prej Zotit dhe kokën ndaj parimeve të ligjshmërisë së krijimit dhe shikimi i ekzistencës me objektivin e Kur’anit që konsiderohet interpretuesi i shenjtë i saj. Ndryshe, konstatime të tilla si ylli polar qëndron këtu, dielli perëndon kështu, ky konstelacion është i tillë e ai tjetri i atillë, vështrimi në fytyrën e materies pa ndonjë synim të përcaktuar e në mënyrë injorante jo vetëm që kategorikisht nuk mund të jenë meditim, por as që ekziston mundësia për të arritur diku me një lloj meditimi të tillë. Edhe fitimi i ndonjë të mire prej tij është çdo herë diçka e diskutueshme.
Prej kësaj rrjedh ajo që një orë meditim është i barazvlershëm me adhurime suplementare të kryera për vite të tëra. Në saje të një ore meditimi tek njeriu shfaqet besimi i përsosur, në shpirt të tij përshndrisin dritërat e intuitës që e afrojnë atë në njohjen dhe ndjerjen e Zotit; ndërkaq, në zemër duket dashuria hyjnore, njeriu arrin kënaqësi shpirtërore dhe sikur bëhet me krahë.
Ja, pra, me një meditim të tillë cilido njeri arrin largësinë që me një punë të mangët prej një meditimi të tillë do të mund të arrihej në një mijë muaj, për rrjedhojë konsiderohet se ka arritur fitimet më të mëdha. Sa për njeriun që nuk ka mundur të kthehet kah Zoti i tij brenda një meditimi dhe vetëdijeje të tillë, edhe sikur një mijë vjet të bjerë e të ngrihet, nuk quhet se ka përparuar as edhe një hap. Nisur nga kjo konsideratë, gjërat që ka bërë nuk barazvlerësohen me një orë meditim. Mirëpo kjo s’do të thotë se adhurimet e bëra prej tij gjatë një mijë vjetëve kanë shkuar kot. Mos qoftë e thënë! Para Allahut, as një fragment adhurimi i tij, bile, nuk ka shkuar kot.
“E kush të ketë punuar një të mirë sa grimca, do ta marrë atë e kush të ketë punuar ndonjë të keqe sa grimca, do ta marrë atë!” (Kur’ani, Zilzal: 7-8).
Domethënë se njeriu meriton disa gjëra me aq sa ka bërë. Duke arsyetuar mbi këtë bazë, njeriu në fjalë e ka kryer detyrën e adhurimit të Zotit si rob i Tij pavarësisht se në ç’formë dhe konsiderohet të ketë kaluar në disa lloj marrëdhëniesh me Të. Vetëm se nuk ka mundur të përftojë gjërat që prodhohen prej meditimit.
Kështu, pra, meditimi në këtë kuptim, mund të barazvlerësohet me një mijë vjet adhurim.
Një specifikë tjetër është edhe kjo: a e zëvendësojnë meditimin ajetet kur’anore që nxisin për meditim dhe lutjet e bëra në heshtje?
Në se ato s’kuptohen dhe njeriu nuk thellohet në to, nuk ka meditim. Ka të mirë, por jo meditim. Meditimi vjen nga të vrarët e mendjes. Meditim do të thotë që të bashkosh dukuri të reja me ato ekzistueset dhe të sintetizosh. Edhe sikur krijimi i lidhjeve mes shkaqeve e pasojave dhe përforcimi i marrëdhënieve mes Zotit dhe robit të konsiderohen çdo kohë meditim, këndimet dhe përkujtimet që nuk shpien në këtë lidhje të shenjtë ose edhe mësimet e njerëzve të mëdhenj krijojnë një të mirë, por nuk përbëjnë një meditim. Që të kemi meditim, kjo varet se sa e vemë në punë zemrën dhe shpirtin, se sa qëndrojmë dhe kërkojmë mbi objektin që merret për meditim, se sa i thellojmë dhe i përforcojmë marrëdhëniet me Zotin.
Zoti na dhëntë sukses në këtë punë! Gjëja më e paktë e më e rrallë në ditët tona është meditimi! Nisur nga kjo, nuk teprohet në se thuhet se në meditim njeriu i sotëm është këmbësor.