Periudha kur u zbrit Kur’ani i Madhnueshëm, është veçanërisht një periudhë kur njeriu u drejtua kah lartësimi. Për këtë arsye pati ardhur Profeti më i plotësuar e më i përsosur. Po, faqes së tokës i kishte ardhur Hz. Muhammedi (s.a.v.), mbi të cilin ishte përqëndruar vëzhgimi i Allahut, ai, për respektin ndaj të cilit ishte krijuar gjithësia. Ajo çka i takonte të bënte bashkësia e tij, për atë ditë, ishte që të bëhej më e përparuara, më e përsosura bashkësi, që të bëhej mësuese e kombeve të qytetëruara. Ç’e do se ç’kishin fituar ata gjer atë ditë, morali i keq dhe veset e ulta, u kishin zënë rrënjë në damarë në atë mënyrë, sa që shkulja dhe hedhja e tyre një nga një, veçanërisht zëvendësimi me një moral të lartë e ngulitja e tij, edukimi i zakoneve të bukura në natyrën e tyre, ishin, secila punë më vete. Po të vinte Kur’ani njëherit e t’u ngulej përpara me të gjitha urdhërat, s’do të mund ta përballonin. Në të vërtetë, një situatë e tillë do të binte në kundërshtim me gjërat të cilat njerëzimi i ndjek me maturi.
Po qe se do të merrnim shembuj nga ditët e sotme, le të mendojmë një pjesë njerëzish të mësuar pas duhanit, pijeve alkolike, ose të sëmurët pas shëtitjeve nëpër sokakë ose me vesin e ndejtjes nëpër kafene.Sikur një të tilli t’ia presësh edhe kokën, t’i thuash po shkove në kafene, do të vdesësh, ai, duke sajuar shkaqe të paqena, prapëseprapë do të shkojë. Po qe se do të mbetej një ditë në shtëpi, do të zinte një qoshe, do të bënte af-uf dhe, sapo të gjente rast, do të merrte udhën e kafenesë. Sepse do të kishte ndërruar atë formë jetese që i kishte braktisur një zakon të pavlerë e të panevojshëm.
Tani le të merremi me të mësuarin e duhanit. i thoni një njeriu të nikotinizuar: Lere këtë cigaren e dëmshme për trupin, sepse pija e saj është vetëvrasje e ngadalshme. Sikur ke në duar një hanxhar dhe, në vend që ta ngulësh në gjoks menjëherë, e ngul ca nga ca duke plotësuar, kështu, vetëvrasjen pjesë-pjesë. Madje, edhe sikur mjeku t’i thoshte se cigarja, jo vetëm, s’ka asnjë dobi, përkundrazi, sjell këto e këto dëme, ky njeri do të lëkundej tepër për ta lënë cigaren. Lëreni këtë, nga cigarja nuk heq dorë as mjeku vetë që e di mirë se ç’është ajo…
Merrni e shqyrtoni edhe një alkolik; njeriu rri i dehur, i ka ndryshuar edhe fytyra, bota e brendëshme i është tjetërsuar aq shumë, sa edhe një hap më tej të bëjë, do t’i përngjajë qenieve poshtë vetes. E tani, po t’i thoni këtij njeriu menjëherë lere pijen!, do të ishte sikur t’i thoshit ndërroje natyrën!
E kështu, zakonet e ngulitura në damarët e njeriut dhe nivelin e moralit shumëzojeni për mijëra e pastaj mendohuni pse Kur’ani u zbrit pjesë-pjesë…
Po, në fillim Kur’ani pret ferrat, i hedh tutje bashkë me gjëra të tjera të dëmshme, e pastron vendin, e punon me shat e pastaj e zbukuron. Me fjalë të tjera i pastron shpirtrat nga veset e këqija e, në vend të tyre, ngulit shprehi të larta dhe në një kohë që do të quhej e shkurtër, bën mijëra punë. Sipas kësaj, ne e shohim shumë të nxituar zbritjen e Kur’anit të Madhnueshëm për 23 vjet. Ashtu siç pat thënë edhe ai prijësi i dritës: Sikur filozofët e këtij shekulli të shkonin në gadishullin Arabik e të përpiqeshin, vallë në raport me atë kohë, a do të mundnin të bënin për njëqind vjet një të qindën që bëri ai Individualiteti për një vit? Ja sheshi i burrave: Janë mijra fole familjare të shembura nga pijet. Shoqata e të Blertëve organizon konferenca për një vit. Po e zgjeron këtë punë duke e çuar gjer në shkollat fillore e të mesme. Vallë, sa vetë po el ënë pijën si rezultat i kësaj pune? Urdhëroni, le të bashkëpunojmë të gjitha universitetet bashkë me profesorët e tyre, të përpiqen, a do të mundin që në një vit t’i bëjnë njëzet vetë që të lejnë pijen? Po t’ia arrinit, do ta quanim këtë një sukses shumë të madh në hesap të tyre e do ta shkruanim këtë me shkronja të arta përkrah veprimtarisë së Profetit tonë (s.a.v.)… Eh, një herë kish ndodhur ajo! Miq e armiq e shohin të pamundur përsëritjen e saj të dytë në të njejtën formë!
Largësinë që kapërceu profeti ynë (s.a.v.) për 23 vjet, njerëzimi s’ka mundur ta kapërcejë në mijëra vjet e s’mundet ta kapërcejë…
Nga njera anë Kur’ani i Madhnueshëm pati vënë si synim zhdukjen e veseve të tilla të këqija, kurse në anën tjetër pati synuar detyrën e zëvendësimit dhe zbukurimit të tyre me moralin e lartë Kuranor, të gjitha këto duke i bërë të pranueshme pa cënuar kërkënd, pa qëlluar, pa frikësuar, pa ia thyer zemrën kujt… Mjaft çeshtje që i shtroi për zgjidhje, i pati prurë në sheshin e zbatimit duke i kaluar nëpër aq etapa dhe variante, sa që sot vetëm disa prej tyre për t’i vënë plotësisht në rend të ditës do të ndihej nevoja s’di për sa 23-vjeçarë!
Këto 23 vjet ishin një kohë legale e domosdoshme që njeriu i asaj dite mund të pranonte e përvetësonte një pjesë urdhërash e ndalimesh të cilat kërkonin një interval të caktuar kohor për të zhdukur periodikisht ca gjëra të njohura e për të zbatuar ca gjëra të tjera po të njohura. Për shembull, brenda këtij kuadri kohor, pijet alkolike ishin të ndaluara në tri-katër etapa, në dy etapa ishte hequr zakoni i groposjes përsëgjalli të vajzave të vogla; problemet e jetës fisnore të hallakatur ishin zgjidhur në nja dy ndërhyrje dhe, duke siguruar unitetin brenda dhe midis fiseve, popullatat ishin ngritur në lartësinë e vetëdijes sociale me anë të së cilës ishin aftësuar ato për të ngritur një shoqëri, gjë që ishte mundësuar përmes aktiviteteve tepër të vështira si hedhja tej e gjithë veseve të këqia dhe shtresimi në vend të tyre i moralit të lartë. Pikërisht për këtë arsye ishte shfaqur nevoja për një etapë kohore më të gjatë.
Në epokën e lumturisë muslimanët rriteshin tëpkë si një pemë, u adoptoheshin ngadalë-ngadalë kushteve të reja dhe zhvilloheshin si natyrë. Çdo ditë bëheshin hyrje në radhët e muslimanëve, njerëzit i ngroheshin çdo ditë e më shumë fesë së re, çdo ditë fitoheshin mendje dhe vetëdije krejt të reja që praktikoheshin e aftësoheshin e, ndërkaq, individët ktheheshin në qenie shoqërore. Vërtet këto bëheshin ngadalë-ngadalë, por veprimet dhe ngjarjet ndiqnin njëra-tjetrën në harmoni. Ja, pra, etapat e ndryshme brenda kësaj ecurie bëheshin një pasqyrë që reflekton në mikroplan gjithë specifikat dimensionale kohore të së vërtetës së Islamit që do të vazhdojë gjer në përjetësi.
Vetëm Allahu e di të vërtetën!
/Drita Islame/