Në Kur’an, i cili është një libër që tregon për gjithësinë dhe njeriun, bëhet fjalë për gjithçka, nuk është lënë mangët asgjë, çdo gjë e njomë dhe e thatë është përfshirë në përmbajtjen e tij. Ibni Mes’udi thotë se “edhe nëse në Kur’an është zbritur dije për çdo gjë, dija jonë nuk mjafton për ta kuptuar çdo gjë në të”, ndërsa Ibni Abbasi thotë se “po t’i humbë litari devesë, gjithsesi e gjej në librin e Allahut.”
Kur’ani u përket të gjitha kohërave dhe hapësirave. Ai u jep mësim të gjithëve, njerëzve të çdo shekulli, shtrese e niveli, nga komentuesi i Kur’anit te juristi, nga sociologu te psikologu, nga mistiku te filozofi, nga fizikani te kimisti etj. Njeriu që e lexon Kur’anin, duke e kërkuar veten në të, thotë: “Kur’ani më drejtohet mua, ai më tregon mua për mua!” Pa le sikur të mund ta lexojë duke e zbritur poshtë grykës, atëherë do i zbulojë te gjitha ç’i ka rënë e kanë për t’i rënë në kokë, të gjitha situatat e errëta e të ndriçuara dhe gjithë sëmundjet dhe përsëri në farmacinë e tij do të mundet t’i marrë ilaçet shëruese për lëngatat shpirtërore dhe sëmundjet trupore.
Në Kur’an ndodhen edukimi i vetvetes, pastrimi i zemrës dhe i shpirtit, llogaridhënia e ndërgjegjes, administrimi i familjes, edukimi i fëmijëve, marrëdhëniet shoqërore, rregullat e sjelljes e të edukatës, çështjet morale, e drejta juridike, ekonomia, ligjet që veprojnë në gjithësi, parimet e shkencave teorike dhe të natyrës, indeksi i mrekullive të qytetërimeve dhe sa e sa gjëra të tjera!
Në Kur’an ka çdo gjë sipas përbërjes, rëndësisë dhe vlerës së saj. Cila është çështja e rëndësishme? Besimi në një Zot të vetëm, profetësia, ringjallja dhe grumbullimi pas vdekjes, adhurimi, fitimi i lumturisë së përjetshme, ruajtja nga ndëshkimi hyjnor etj. Veç këtyre veprimtaria e Allahut në gjithësi, ekspozimi i arteve të Tij, shfqjet e atributeve dhe emrave të Tij. Edhe zhvillimet shkencore dhe gjetjet teknike që do të dalin në shesh në periudha të caktuara kanë marrë vendin e tyre në Kur’an sipas rëndësisë dhe vlerës që kanë.
Në Kur’an ka çdo gjë, por jo çdo njeri mundet ta shohë çdo gjë siç ndodhet në Kur’an. Siç e thekson imam Gazaliu në veprën e tij, kuptimet e hapura dhe të jashtme të Kur’nit mund t’i kuptojë si shtresa e lartë, ashtu edhe populli i thjeshtë, kurse kuptimet e brendshme e të fshehta janë të posaçme për njerëzit e dijes që meditojnë dhe hulumtojnë çdo gjë me imtësi. Zhytësit e cilësuar nga Kur’ani si “ata që lëshojnë rrënjë e thellohen në dituri”, zhyten në oqeanin kuranor dhe nxjerrin prej tij perla e margaritarë.” Mirëpo jo çdokush mund të zhytet në këtë oqean. Një sendi antik në tregun e hekurishteve i japin vlerë sa peshon, kurse po ai send antik pranë antikuarit ka vlerë të pallogaritshme!
Në Kur’an ka çdo gjë, por jo si qëllim dhe synim në vetvete, por në emër të aftësisë dhe madhështisë së Zotit. Ashtu si shkronja “a”, që më tepër se veten tregon artin dhe kapacitetin e atij që e ka shkruar, ashtu dhe ajetet e Kur’anit ekzistojnë që të bëhen nga një argument për ta gjetur dhe njohur Zotin, për të marrë mësim me anë të meditimit dhe gjykimit mbi to, sepse detyra më e parë e Kur’anit është t’ia bëjë të njohur njeriut edhe veten e tij edhe tij edhe të Zotin e gjithësisë, të bëhet pretekst që ai të fitojë lumturinë e përjetshme duke përfshirë në këtë funkson tërë jetën dhe njerëzimin.
Megjithëse Kur’ani nuk është një libër fizike, astronomie apo mjekësie, çështjet lidhur me këto shkenca, zbulimet, përcaktimet dhe konkluzionet shkencore që do të bëhen gjer në kiamet zënë vend nëpër faqet e tij, sipas peshës dhe rëndësisë që kanë, në forma dhe përmbajtje të ndryshme, herë si një farë, herë si një shenjë, herë si hipotezë, herë si simbole dhe herë si ligje dhe parime të formuluara. Duke mos e nënvleftësuar dhe lënë mënjanë asnjërën prej dijeve dhe shkencave që do të kenë marrëdhënie me njerëzit deri në kiamet, Kur’ani ka thënë fjalën e fundit, duke e nxitur njeriun të cilit i është dhuruar mendje, aftësi njohëse dhe arsyetuese, të bëjë kërkime dhe përpjekje në këto fusha!
/Drita Islame/