Transportet përbëjnë një nga sektorët më të dëmtuar nga pandemia e koronavirusit. Sipas të dhënave zyrtare, transporti ajror i udhëtarëve ra me 98 % ndërsa ai detar me 96%. Të vetmet që kanë ruajtur vlerat normale krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë janë ngarkim-shkarkimi i mallrave në porte.
Muaji prill i cili përkon dhe me muajin e parë të plotë që ishte totalisht i mbyllur për shkak të pandemisë së koronavirusit ka shënuar një reduktim të ndjeshëm të numrit të lëvizjes së pasagjerëve.
Sipas INSTAT, përgjatë këtij muaji transporti hekurudhor rezulton tërësisht i paralizuar ndërsa rënie drastike është reflektuar edhe në lëvizjet e pasagjerëve nga ajri dhe deti.
Më konkretisht nga të dhënat rezulton se vetëm 1.7% e shqiptarëve kanë mundur të lëvizin përmes rrugëve ajrore, ndërsa 4% e tyre kanë përdorur transportin detar.
Një tkurrje e ndjeshme është shënuar edhe në volumin e mallrave të transportuara nëpërmjet hekurudhës me një rënie prej 77%.
Ndërkohë që i vetmi tregues që ka qenë afër normales për këtë muaj është ai që ka të bëjë me ngarkim-shkarkimin e mallrave në porte.
Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë muajit lamë pas ngarkim shkarkimi i mallrave ka pësuar një rënie të lehtë prej 5.8% krahasuar me prillin e vitit të shkuar.
Përgjatë muajit prill vlera totale e importeve dhe eksporteve është 51.1 miliard lekë, nga të cilat 48.3% e tyre u transportuan përmes detit.