Në Kur’an i cili, si një libër që tregon për gjithësinë dhe njeriun, shprehet për gjithçka, nuk është lënë mangët asgjë (Surja En’am, 59), çdo gjë e njomë dhe e thatë është përfshirë në përmbajtjen e tij. Ndërsa Ibni Mes’udi thotë se “edhe nëse në Kur’an është zbritur dije për çdo gjë dhe është shprehur çdo gjë, dija jonë nuk mjafton për ta kuptuar çdo gjë në të”, Ibni Abbasi thotë se “po t’i humbë litari i devesë, gjithsesi e gjej në librin e Allahut”, kurse Sujutiu pohon se në Kur’an zënë vend të gjitha dijet. (el-Itkan).
Meqë është libri i Islamit, fesë së përsosur, të realizuar si e tillë me Profetin e Fundit dhe, për rrjedhojë, meqë është universal, Kur’ani u përket të gjitha kohërave dhe hapësirave. Ai u jep mësim të gjithëve, njerëzve të çdo shekulli, shtrese e niveli, nga komentuesi i Kur’anit, te juristi, nga sociologu, te psikologu, nga mistiku, te filozofi, nga fizikani, kimisti, etj. Njeriu që e lexon Kur’anin duke e kërkuar veten në të, thotë: “Kur’ani më drejtohet mua, ai më tregon mua për mua!” Pa le sikur të mund ta lexojë duke e zbritur poshtë grykës, pikërisht atëherë do t’i zbulojë në të, të gjitha zigzaget në jetë, të gjitha situatat e errta e të ndriçuara dhe sëmundjet dhe, përsëri, në farmacinë e tij mundet t’i marrë ilaçet shëruese për lëngatat shpirtërore dhe sëmundjet trupore.
Në Kur’an ndodhen edukimi i vetvetes, pastrimi i zemrës dhe shpirtit, llogaridhënia e ndërgjegjes, administrimi i familjes, edukimi i fëmijëve, marrëdhëniet shoqërore, rregullat e sjelljes e të edukatës, çështjet morale, e drejta juridike, ekonomia, aktet, ligjet që veprojnë në gjithësi, parimet e shkencave teorike e të natyrës, indeksi i mrekullive të qytetërimeve dhe sa e sa gjëra të tjera!