Dispozitat e Kurbanit

Përkufizimi i kurbanit

Kurban në kuptimin gjuhësor do të thotë “mjet që të afron me Zotin”. Ndërsa në literaturën islame ka kuptimin “të therësh një kafshë të përshtatshme sipas kushteve të caktuara me qëllim adhurimi”.

Urtësitë e therjes së kurbanit

Kurbani është shprehje e heroizmit, sakrificës dhe bindjes së njeriut në rrugën për fitimin e kënaqësisë së Zotit. Kjo bindje dhe sacrificë është simbolizuar me Ibrahimin dhe Ismailin duke arritur majat. Kurbani rrit shpirtin bindës ndaj Allahut. Në këtë mënyrë, njeriu shfaq përkushtimin e tij të vërtetë dhe mundohet të kryejë detyrën e falenderimit, afrohet me Allahun dhe kurbani kryen rolin e afrimit të tij me Të. Kurbani gjithashtu e mëson njeriun e pasur të japë nga pasuria e tij për të fituar kënaqësinë e Zotit. E nxit atë të ndihmojë të tjerët dhe të ndiejë thellë në ndërgjegje kënaqësinë që të jep kjo ndihmë që u ofrohet të tjerëve.

Kurbani i Bajramit

Kur thuhet kurban përgjithësisht nënkuptohet kafsha e therur gjatë Bajramit. Personat të cilët i plotësojnë kushtet e përcaktuara nga ana fetare e kanë vaxhib (detyrim) të therin kurban.

Në Kuran, Allahu i drejtohet kështu Profetit (a.s.): “Fal namaz për Zotin tënd dhe ther kurban”. Diçka që është vaxhib për Profetin (a.s.) dhe nuk ka asnjë argument që vërteton të kundërtën, përfshin edhe të gjithë umetin e tij, d.m.th. edhe ata e kanë vaxhib të therin kurban, sepse Profeti (a.s.) është udhërrëfyes për bashkësinë e vet.

Personi që e ka të detyruar therjen e kurbanit

  1. Të jetë musliman
  2. Të jetë me mendje dhe të jetë adult
  3. Të mos jetë udhëtar
  4. Të ketë mundësi financiare

Kafsha për kurban

Personi i obliguar me therjen e një kurbani, duhet të zbatojë disa kushte përsa i përket kafshës së kurbanit dhe therjes së saj.

  1. Kafsha për kurban mund të jetë dele, dhi, lopë, buall, deve dhe nga kafshët e tjera të ngjashme. Kjo është e pranuar unanimisht nga të gjithë dijetarët islamë. Kafshët e lartpërmendura si të përshtatshme mund të theren si kurban nga të dyja gjinitë.
  2. Për kafshët si delet dhe dhitë, ato duhet të kenë mbushur një vit që të mund të theren si kurban. Vetëm nëse një dele 6 muajshe është e shëndetshme dhe tregon për një vit atëherë edhe ajo mund të pritet si kurban. Ndërsa dhia duhet patjetër të mbushë vitin. Kafshët si lopa dhe bualli duhet të jenë mbi dy vjeç, ndërsa deveja duhet të jetë mbi pesë vjeç.

Delja dhe dhia mund të theret kurban vetëm në emër të një personi, ndërsa kafshët si  lopa, kau dhe bualli mund të theren në emër të shtatë personave që bien në ujdi me njëri-tjetrin. Pasi theret kurbani, mishi ndahet ndërmjet tyre në mënyrë të barabartë.

  1. Kafsha që theret me qëllim adhurimi dhe afrimi me Allahun, duhet të jetë e shëndoshë, e majme dhe me organe të rregullta. Kjo shërben si për qëllimin dhe mënyrën e adhurimit, gjithashtu edhe për rregullat e shëndetit. Për këtë arsye, kafsha për kurban nuk duhet të ketë ndonjë mangësi që ta pengojë nga plotësimi i kushteve të kurbanit.
  2. Të gjitha adhurimet kryhen në kohën dhe sipas kushteve të caktuara nga Allahu. Kështu që kurbani mund të theret nga mbarimi i namazit të Bajramit deri në perëndimin e ditës së tretë.
  3. Gjithashtu është kusht që kafsha të theret me qëllim adhurimi. Allahu nuk ka nevojë as për adhurimet që i kryhen atij dhe as për kafshët që theren. Allahu shprehet kështu në Kuran: “Mos harroni se as mishi dhe as gjaku nuk do shkojnë tek Zoti. Por ajo që arrin deri atje është devotshmëria që ushqeni në zemrat tuaja dhe respekti ndaj Allahut. (Haxh,37)

Mangësitë që pengojnë kafshën të jetë kurban

  1. Të ketë të dy sytë ose vetëm njërin të verbër
  2. Të jetë e çalë aq sa mos të jetë në gjendje të ecë
  3. Të ketë njërin ose të dy veshët të prerë
  4. Të ketë të gjithë dhëmbët ose pjesën më të madhe të tyre të rënë
  5. Të jetë e sëmurë

Mënyra e therjes së kurbanit

Kafsha merret dhe pa e munduar shtrihet në drejtim të Kibles nga ana e majtë. Kurbanin mund ta therë i zoti ose mund t’ia lërë ndonjë tjetri. Ai që e ther nuk lejohet ta torturojë kafshën dhe thika që do të përdorë duhet të jetë e mprehtë. Thika mbahet me dorën e djathtë dhe në momentin e therjes thuhet “Bismil’lah, Allahu Ekber”. Kafsha theret në të dyja anët e damarëve të qafës.

Një kusht tjetër, është që kafshës duhet t’i rrjedhë i tërë gjaku pasi të jetë therur. Për të mos e munduar shumë kafshën nuk fillohet rrjepja e lëkurës derisa ajo të mos lëvizë më.

Pin It