Detyra dhe qëllimi kryesor i jetës njerëzore është të kërkojë kuptimin e saj. Përpjekja për ta arritur këtë, e njohur si edukim, është një proces përsosjeje përmes së cilës ne fitojmë në dimensionet shpirtërore, intelektuale dhe fizike të qenies sonë, pozitën e caktuar për ne si modeli perfekt i krijimit.
Në lindje, nisja e fazës tokësore të udhëtimit tonë prej botës së shpirtrave në përjetësi, ne jemi plotësisht të pafuqishëm dhe në mënyrë të skajshme nevojtarë. Në të kundërt, shumica e kafshëve vijnë në këtë botë si të maturuar ose sikur janë perfeksionuar më parë. Brenda pak orëve, ditëve ose muajve, ata mësojnë gjithçka të nevojshme për mbijetesën e tyre, ashtu edhe si të vendosin lidhje me mjedisin dhe me krijesat e tjera. Për shembull, zogjve ose bletëve për të fituar pjekurinë dhe të gjithë aftësitë fizike dhe sociale u nevojiten njëzet ditë ndërsa ne na nevojiten njëzet vjet apo më shumë për të arritur një nivel të krahasueshëm pjekurie.
Ne kemi lindur të pafuqishëm si edhe të paditur për ligjet e jetës dhe duhet të këlthasim për të marrë ndihmën që na nevojitet. Pas një viti apo më shumë, ne mund të qëndrojmë në këmbët tona dhe të ecim nga pak. Kur ne jemi rreth të pesëmbëdhjetave, shpresojmë të kemi kuptuar ndryshimin midis të mirës dhe të keqes, të dobishmes dhe të dëmshmes. Megjithatë, e tërë jeta jonë do të shkojë në kërkim të përsosjes intelektuale dhe shpirtërore. Detyra jonë kryesore në jetë është të fitojmë përsosjen dhe pastërtinë në mendimin, këndvështrimin dhe besimin tonë. Nga përmbushja e detyrimit tonë si shërbëtorë të Krijuesit, Ushqyesit dhe Kujdestarit, dhe nga depërtimi në të fshehtën e krijimit përmes mundësive dhe aftësive tona, ne kërkojmë të arrijmë në pozitën e krijesës njerëzore të vërtetë dhe të bëhemi të denjë për një lumturi, që është jeta e amshuar në botën tjetër të lartësuar.
Natyra jonë njerëzore është drejtpërsëdrejti në përpjestim me pastërtinë e emocioneve tona. Megjithëse ata që janë plot me ndjenja negative dhe shpirtrat e të cilëve janë ndikuar nga egoizmi, shfaqen si krijesa njerëzore, është e dyshimtë nëse ata janë me të vërtetë njerëz. Pothuajse çdo njeri mund ta drejtojë trupin e tij, por pak mund t’i edukojnë mendjet dhe ndjenjat e tyre. E para krijon një trup të shëndoshë, ndërsa e dyta krijon njeriun spiritual.
Njerëzve u është zbukuruar dashuria ndaj gjërave të këndshme, ndaj grave, ndaj djemve e ndaj pasurisë së grumbulluar nga ari e argjendi, ndaj kuajve të stolisur, bagëtisë e bujqësisë. Këto janë kënaqësi të kësaj bote….(3:14)
Këto dhunti gjenden tek çdo krijesë. Megjithatë, nëse në dëshirat, inteligjencën, ose vendosmërinë e tyre për të mbrojtur jetën dhe territorin, këto dhunti janë të kufizuara për të gjithë krijesat, nuk është e njëjta gjë për natyrën njerëzore. Çdo njëri prej nesh është pajisur veçmas me vullnet të lirë dhe obligim konsekuent për të disiplinuar fuqitë e veta. Kjo luftë për disiplinim përcakton natyrën tonë njerëzore. Në bashkim me njëra-tjetrën dhe në përputhje me rrethanat, aftësitë tona janë shpesh të shprehura përmes xhelozisë, urrejtjes, armiqësisë, hipokrizisë dhe mburrjes. Gjithashtu këto duhet të jenë disiplinuara.
Ne nuk jemi të krijuar vetëm nga trupi dhe mendja. Çdo njëri prej nesh ka një shpirt që është e nevojshme të ndjejë kënaqësi. Pa këtë, ne nuk mund të gjejmë lumturinë dhe përsosjen e vërtetë. Kënaqësia shpirtërore është e mundur vetëm përmes dijeve për Zotin dhe besimit tek Ai. Të kufizuar me botën fizike, vetja jonë trupore e veçantë, koha dhe hapësira mund të ndjehen si një burg. Ne mund t’i përvidhemi këtij burgimi përmes besimit dhe adhurimit të rregullt dhe duke u përmbajtur nga ekstremet ndërsa shfrytëzojmë aftësitë dhe kapacitetet tona. Ne nuk duhet të kërkojmë të shkatërrojmë dhuntitë tona, por të përdorim vullnetin tonë të lirë për t’i përmbajtur dhe pastruar ato, për t’i adresuar në drejtim të virtytit. Për shembull, ne nuk shpresojmë të eliminojmë epshin, por ta përmbushim atë në mënyrë të ligjshme nëpërmjet riprodhimit. Lumturia mbështetet në kufizimin e epshit tonë në kufijtë e ligjshëm të turpit dhe pastërtisë morale dhe jo në tërheqjen e shthurjes dhe çoroditjes.
Në të njëjtën mënyrë, xhelozia mund të jetë kanalizuar në rivalitetin e lirë të zilisë pozitive që na frymëzon ne për t’u matur me ata që shquhen për mirësi dhe vepra të lavdërueshme, duke u disiplinuar atje ku duhet për të arsyetuar rezultatet tona në fitimin e njohurive dhe, në fund fare për mirëkuptimin dhe urtësinë. Pastrimi dhe trajnimi i zemërimit çon në bindje dhe vetëpërmbajtje. Disiplinimi i pasionit dhe i dëshirave tona i jep udhë pastërtisë sonë morale.
Nëse çdo virtyt është menduar të jetë në qendër të një rrethi, dhe çdo veprim jashtë qendrës është menduar të jetë një ves, atëherë vesi bëhet i madh nëse ne lëvizim shumë larg prej qendrës. Çdo virtyt si pasojë ka vese të mundshme të panumërta meqë aty është vetëm qendra e një rrethi, por me numër të pakufizuar pikash rreth tij. Eshtë e parëndësishme në cilin drejtim ndodh shmangia, por shmangia nga qendra në çfarëdo drejtimi qoftë është një ves.
Dy janë ekstremet në lidhje me çdo virtyt moral: dobësia ose tepria (deficenca ose eksesi). Dy ekstremet lidhur me urtësinë janë budallallëku dhe finokëria. Për guximin janë burracakëria dhe nxitimi dhe, për pastërtinë morale, janë plogështia dhe zilia e pakontrolluar. Prandaj përsosmëria e një personi, qëllimi themelor i ekzistencës sonë, mbështetet në mbajtjen e kushteve të balancës dhe maturisë në mes dy ekstremeve në lidhje me çdo virtyt.