Nisën sot xhirimet e projektit më të ri kinematografik të regjisorit Fatmir Koçi, “Elvisi kthehet në shtëpi”. Qendra Kinematografike Shqiptare publikoi foto nga skenat e para të xhirimeve në Shëngjergj të Tiranës.
Filmi është një bashkëpunim shqiptaro-anglez, me skenar të Jonatan Prëce dhe do të luhet në të dy gjuhët, shqip dhe anglisht.
Filmi sjell situatën e pasluftës në ballkan në 1999, duke trajtuar fatin e disa fëmijëve të mbetur jetimë nga lufta, të cilët takohen me një imitues të Elvis Presley-t. Elvisi fiton jetesën duke argëtuar trupat ushtarake britanike në ballkan, ku jeta e tij do të ndërthuret me dramën e fëmijëve të mbetur në rruge dhe pa familje.
Personazhi i Elvisit do të interpretohet nga aktori Dritan Kastrati, i cili njihet për role të ndryshme në teatrin e Londrës dhe për një bashkëpunim të mëparshëm me regjisorin Koçi në filmin “Pit Stop Mafia”.
“Elvisi kthehet në shtëpi” është një prodhim kinematografik me të cilin regjisori Fatmir Koçi synon të prekë ekranet e kinemave ndërkombëtare.