Babai, gjithmonë kthehej vonë dhe i rraskapitur nga puna. Djali i tij i vogël, e priti te dera dhe i bëri një pyetje të çudithsmë: “Babi sa para fiton në orë ti?!” i ati, i mërzitur prej pyetjes ia kthen: “S’ka ç’të duhet ty kjo. ç’është kjo pyetje kështu?!” Djali me naivitetin e tij i thotë: “Thjesht dua ta di. Të lutem më trego!” Duke u ndjerë ngushtë, i ati i tha: “Fitoj dhjetë dollarë në orë.” I biri, uli kokën dhe shtoi: “A mund të më japësh dy dollarë të lutem?”
Babai pak i lodhur, pak i irrituar prej fjalëve të të birit, i flet shumë ashpër duke thënë se s’kishte përse i jepte para që ai t’i harxhonte me lodra e ëmbëlsira, pasi rropatej shumë për t’i fituar ato. E pas kësaj, i kërkon që të shkojë në dhomën e tij për të fjetur. Djali, ashtu kokë ulur e pa thënë asnjë fjalë, u ngjit për në dhomën e tij. I ati pasi i mendoi mirë ato që tha, i penduar për mënyrën sesi foli, u ngit dhe shkoi te dhoma e të birit. Hapi derën dhe pyeti: “A të zuri gjumi kolopuç?” I biri ia ktheu: “Jo zgjuar jam.” I ati duke iu ulur në shtratin, i thotë: “Të kërkoj ndjesë që u solla ashpër me ty, por duhet të dish që ka qenë një ditë shumë e lodhshme për mua. Ja ku i ke dy dollarët që më kërkove!”
Djali u çel në fytyrë dhe i tha: “Faleminderit babi.” Pastaj i bashkangjiti dy dollarët me disa kartmonedha të tjera që kishte nën jastëk. Babai që po e shihte, u habit shumë nga veprimi i të birit, por këtë herë, djaloshi nuk e la të atin që të paragjykonte, sepse menjëherë tha: “Tani mu bënë fiks dhjetë dollarë, me të cilat dua të blej një orë nga koha jote, me qëllim që të kalojmë bashkë.”