Fisnikëria e njeriut në Islam

“Muslimani duhet të ketë shpirt të pastruar nga veset e këqija, duhet të ketë ndërgjegje të kulluar nga qëllimet e pastra, duhet të jetë i pastër dhe në trup, në rroba e në vendin ku banon dhe ku falet e lutet”

Hafiz Ibrahim Dalliu

Sipas Islamit, njeriu është krijesë e veçantë që dallohet nga të gjitha krijesat e tjera. Njeriu është një lloj i veçantë, i përkryer, të cilin Zoti (xh.sh.) e ka nderuar me mendje, vullnet dhe shpirt. Sipas Kuranit, njeriu konceptohet jo vetëm në aspektin njohës, por edhe nga përmbajtja e tij emocionale, me të cilat shpreh kënaqësinë ose pakënaqësinë për personalitetin, cilësitë, aftësitë, mendimet dhe sjelljet e tij.

Me vlerësimin që njeriu i bën vetes do të organizojë dhe qëndrimin e tij ndaj botës në të cilën jeton. Njohja është një proces i ndërlikuar që realizohet e funksionon në kuadrin e proceseve individuale. Zoti e ka fisnikëruar njeriun duke e krijuar në formën më të bukur. Në Kuran thuhet: “… ai (Allahu) ju jep juve formën më të bukur” (Tin, 4).

Mbi këtë bazë Zoti e ka vendosur njeriun në pozitën e mëkëmbësit të Tij në sipërfaqe të tokës, duke vënë gjithësinë në shërbim të tij. Në të njeriu ka mundësi të gjejë e të zbulojë mistere pa fund për të shfrytëzuar ato gjëra që i sjellin të mira e lumturi. Pra, Zoti i ka dhënë përparësi të madhe duke e pajisur me mendje e logjikë, i mëson të folurin e bukur dhe e udhëzon në rrugë të vërtetë. Si i tillë, njeriu duhet ta kuptojë dhe perceptojë burimin hyjnor të Islamit, të hulumtojë nën dritën e tij dhe të mendohet që të zbatojë në jetë principet e këtij burimi. Në sajë të këtij ideali, i cili qëndron pas çdo lëvizje, fjale dhe vepre të tij, arrihet pëlqimi dhe shpërblimi i Allahut.

Islami nuk e mohon urinë e njeriut për të zgjedhur dhe mbi këtë bazë do të përcaktojë dhe rrugën e tij. Njeriu ka fuqi arsyetuese për të vepruar në kuadër të urdhrave e porosive hyjnore, që i tregojnë shpërblimin ose ndëshkimin.

Shpallja hyjnore nuk e abrogon arsyen njerëzore e as rolin e saj në të

kuptuarit e shpalljes. Ajo i ka lënë hapësirë mendjes së njeriut për ta treguar veten.

Në Kuran, fjala “njeri” përmendet 63 herë, ndërsa fjala “njerëz” përmendet 240 herë. Kështu që njeriu duhet të mbështetet në dy të vërtetat madhore të ekzistencës: “Besimin në Zotin Një dhe Muhamedin si të dërguarin e Tij”.

Në Kuran lexojmë: “E ka krijuar njeriun nga copa e gjakut të mpiksur. Ai i ka mësuar njeriut atë që nuk dinte” (Alek, 2-5).

Në këtë ajet shpjegohet pikëpamja e Islamit mbi njeriun dhe lidhjen e tij me Zotin dhe anasjelltas, ashtu sikurse i drejtohet Muhamedit në ajetin 1 po të kësaj sureje ku thuhet: “Lexo me emrin e Zotit tënd i cili ka krijuar çdo gjë”. Allahu i është drejtuar njeriut si pikë referimi të zhvillimit e të përparimit dhe se çdo vepër e tij duhet të mbështetet në dije e kulturë, ku çelësi është leximi e shkrimi.

Njeriu i ditur ka kapacitet parashikues për njohjen e një vepre, pa e arsyetuar dhe analizuar atë. Kjo për arsye se të menduarit e tij ka aftësi jo vetëm kontrollues e të vetëdijshëm, por edhe spontan e të pavetëdijshëm. Kështu p.sh. mjafton të dëgjojë fjalët drogë, prostitucion etj., dhe menjëherë njeriu automatikisht jep përcaktimet e tij që dalin nga kuptimi i tyre. Ai shprehet në mënyrë emocionale sepse i percepton si të rrezikshme e të dëmshme si për personin, ashtu edhe për shoqërinë.

Perceptimi i saktë i realitetit është i rëndësishëm për ruajtjen e sistemit të të menduarit sepse gjithmonë krijon premisa për të ndërtuar situata pozitive në çdo mjedis shoqëror që të ndodhet. Në rastet kur njeriu nuk merr pjesë në shoqëri do të ndihet i vetmuar, i përjashtuar nga ata e deri i paaftë për të ndarë vlerat e tij me të tjerët. Prandaj çdo njeri duhet të jetë në kontakt të vazhdueshëm gjatë ditës me informacione të larmishme nga familjarët, shokët, të njohurit e të panjohurit, me bisedat televizive, me burime shkencore etj., të cilat duhet t’i seleksionojë dhe të marrë ato më të rëndësishmet.

“A nuk e shihni se si Allahu jua ka nënshtruar juve gjithçka që është në qiell e tokë dhe i ka plotësuar e përsosur mirësitë e Tij mbi ju, të dukshme e të padukshme” (Lukman, 20).

Besimtari duhet të marrë informacion të gjithanshëm, udhëhequr nga Islami, si paraprijës i të gjitha fenomeneve pozitive në jetën e përditshme. Islami e respekton njeriun si tërësi ashtu si e ka krijuar Zoti, me trup e me shpirt, me mendje e me zemër, me vullnet e ndërgjegje. Trupin e ka detyruar të punojë e të shfrytëzojë të mirat e kësaj bote, ndërsa shpirtin në shenjë respekti e ka udhëzuar të adhurojë të Lartmadhëruarin. Mendjen e urdhëroi të kërkojë dituri e ndjesitë i ka zgjuar në thellësitë e tij shpirtërore edhe për t’u zbavitur.

Për këto arsye, njeriu duhet të vlerësojë lidhjen e tij me shoqërinë, por akoma më shumë besimtari me besimtarin, sepse sipas Kuranit, “besimtarët janë vëllezër”. Çdo çast njeriu duhet të mendojë në mënyrë islame dhe kjo ta udhëheqë atë në çdo veprim individual, familjar e shoqëror. Nuk duhet të pajtohet me ata persona që i ndryshojnë qëndrimet e tyre në çdo çast, madje edhe përpara argumenteve ata tregohen të lëkundur. Këmbëngulja në të vërtetën tregon pjekurinë e njeriut dhe njëkohësisht ndërton imazhin e tij në jetë.

Në veprimet e përditshme që kryen çdo njeri ka ndikimet pozitive ose negative nga jashtë. Besimtarit ndikimi kryesor i vjen nga besimi islam, i cili e udhëheq gjithmonë drejt, i futet në çdo veprim të tij, duke prodhuar gjithmonë efekte pozitive. Veçanërisht niveli kulturor ia ndriçon mendimet dhe nuk përshtatet me sjelljen negative të shokëve, por, përkundrazi, duhet të punojë që t’i ndryshojë ata në sensin pozitiv.

Besimtarët e devotshëm, me veprimet e tyre në praktikën e përditshme përshtaten me normat e moralit islam. Këto norma bëhen sistem i vlerave dhe i qëndrimeve ndaj realitetit dhe bindje ndaj ligjeve të Allahut. Atëherë për sinqeritetin, kompetencën, inteligjencën, dashurinë e miqësinë, ata respektohen shumë në shoqëri.

Kur merr një vendim, besimtari e justifikon atë përpara vetes, duke menduar të gjitha anët e tij pozitive. Ai bëhet i ndërgjegjshëm në rrugën e tij dhe është shumë rezistent ndaj ndryshimit që mundohen t’ia bëjnë të tjerët. Normat morale të Islamit kanë fuqi të madhe ndihmëse në mesin e besimtarëve. Ato na imponojnë që të tjerët t’i trajtojmë ashtu si ka vepruar Profeti (a.s.) me ndjekësit e tij. Ftesa, pëlqimi, dashuria, vëmendja na shmangin nga akte që na dëmtojnë.

Normat morale islame që përdoren reciprokisht nga besimtarët e besimtaret, ndihmojnë për të parashikuar sjelljen e të tjerëve, por edhe ndikimin e tyre te këto sjellje. Sa më i fortë është burimi i këtyre normave, aq më i madh është edhe ndikimi. Kur njerëzit i shikojnë këta besimtarë si shumë kompetentë në mendimet e veprimet e tyre, ata kanë më shumë predispozicion për t’i pranuar gjykimet e veprimet e tyre.

Çdo ditë njeriut në shoqëri i jepet mundësia të provojë anët pozitive të jetës, por edhe anët negative të saj. Për këtë në një ajet të shenjtë thuhet: “0 robtë e mi! Ju bëni mëkate ditë e natë e Unë i fal të gjitha mëkatet, kërkoni pra, falje T’ju fal”. Andaj gjithsecili duhet të jetë i kujdesshëm në përcaktimin e gjërave, për të qenë korrekt me ligjet e zhvillimit të shoqërisë e format morale të saj që përputhen me Islamin.

 

Pin It