FMN publikon pritshmëritë për ekonominë në 2017, Shqipëria e para në rajon

Print

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar raportin me pritshmëritë dhe parashikimet për rritjen ekonomike në botë gjatë vitti 2017. Sipas FMN-së dy vendet që pritet të kenë rritjen më të shpejtë ekonomike në botë gjatë këtij viti janë Libia dhe Jemeni, të cilat vijnë nga një vit me konflikte të armatosura.

Shqipëria ndodhet në mes të listës dhe sipas FMN-së ekonomia shqiptare do të rritet me 3.7 për qind këtë vit, duke lënë mbrapa vendet e tjera të rajonit. Mali i Zi dhe MAqedonia do të jenë ndjekëset më të afërta me përkatësisht 3.6 dhe 3.5%. Kosova pritet të ketë një rritje ekonomike me 3.3%, ndërsa Serbia 2.8%, më e ulëta në rajon. Në raport me shtetet e tjera, vendi ynë renditet i 75-ti nga 190 shtetet në këtë listë.

Nëse i referohemi raportit Libia me 13.7 për qind dhe Jemeni me 12.6 për qind do të kryesojnë listën botërore të rritjes ekonomike. Të dy vendet kanë përjetuar humbje të mëdha ekonomike gjatë viteve të fundit, si pasojë e luftrave dhe në 2017-n shpresojnë të rikuperojnë një pjesë të tyre.

Në vendin e tretë renditet Bregu i Fildishtë, që do të rritet me rreth 7.9 për qind, ndërsa Mianmari dhe India ndodhen në vendin e katërt dhe të pestë, me rritje ekonomike respektivisht 7.7 dhe 7.6 për qind.

Kina, dikur një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në botë, ka zbritur në vendin e 15. Ekonomia kineze vazhdon të ngadalësojë ritmet dhe këtë vit pritet të rritet me rreth 6.1 për qind.

Ndërkohë ekonomitë që do të kenë një vit të vështirë negativ pritet të jenë Sudani Jugor, ku ekonomia do të rrudhet me 6 për qind, i ndjekur nga Guinea Ekuatoriale me -5.8 për qind dhe Venezuela, ku ekonomia pritet të humbasë këtë vit 4.5 për qind të prodhimit.

 

Pin It