Familjet e para që do të përfitojnë nga gazsjellësi TAP do të jenë ato në zonën Ballsh-Fier-Vlorë dhe Durrës- Tiranë.
Drejtori i Hidrokarbureve në Ministrinë e Energjisë Dritan Spahiu shpjegon se këto do të jenë zonat parësore të gazifikimit për arsye industriale dhe si rrjedhojë shpërndarja e rrjetit për familjarët do të jetë më e lehtë.
Ndërsa gazifikimi i zonave të tjea të Shqipërisë është lënë për në një moment të dytë.
Spahiu: “Do të gazifikohet një trekëndësh me një intensitet të industrial siç është ai Ballsh-Fier-Vlorë dhe nga ky rast do të përfitojnë edhe klientët familjarë nga ndërtimi i komplet rrjetit.
Më pas do të shikohet, në varësi edhe të projekteve të tjera, siç është projekti IAP, qoftë lidhja me Kosovën si dhe me Maqedoninë. Në rast se këto lidhje do të jenë funksionale, do të jenë një ndihmesë shumë e madhe për vetë gazifikimin e Shqipërisë. Afatshkurtër, është se këto dy rajone do të fokusohet gazifikimi për konsumatorët familjarë.”
Shqipëria tashmë ka një studim të mirëfilltë për sa i përket gazifikimit të vendit, i cili parashikon se si do të kryhet ky proces në periudhën 2020-2040.
Në vëmendje do të jetë vendosja në punë e termocentralit të Vlorës, ndërsa përfituesit e parë nga rrjeti i transmetimit të gazit do të jenë zona e Fierit dhe e Ballshit dhe zona e dytë me rëndësi është zhvillimi i rrjetit të gazit në zonën industriale Tiranë-Durrës.