Në qytetin Çikago, sivjet është hapur katedra e parë e Albanalogjisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan gazeta LAJM. Katedra është hapur falë donacionit prej 5 milionë dollarëve që e ka dhuruar atdhetari Idai Edy Bregu, një mërgimtar I hershëm shqiptar në SHBA. Në testamentin e hapur pasi ai ka ndërruar jetë, thuhet se një pjesë të pasurisë ia dedikon hapjes së të një katedre të Albanalogjisë, nevojë e kamotshme për shqiptarët në Amerikë. Katedra e Albanologjisë funksionon në kuadër të Universiteti De Pol në Çikago, kurse udhëheqës I saj është profesori Gazmend Kapllani, që deri tani ka ligjëruar në universitete dhe kolegje të ndryshme në SHBA. Në intervistën ekskluzive për Gazetën Lajm dhe për Lajm Tv, Kapllani sqaron në detaje aktin e madh të veprimtarit Bregu.
Në disa universitete amerikane ekzistojnë programe për mësimin e gjuhës shqipe, mirëpo një katedër për studime të kompletuara albanologjike, hapet për herë të parë.
Kapllani flet edhe për misionin kryesor të kësaj katedre, e cila së shpejti do të përforcohet edhe me intelektualë tjerë shqiptarë.
Katedra po bëhet gati të pranojë studentët e parë. Përveç të rinjve me prejardhje shqiptare, dyert e katedrës do të jenë të hapura edhe për student të komuniteteve tjera në Amerikë, që kanë interesim të studiojnë albanologjinë.
Në kuadër të katedrës së Albanologjisë në Çikago do të themelohet edhe Aleanca Shqiptaro-Amerikane, e cila do të grumbullojë intelektualët e rinj shqiptarë në Amerikë, e që për qëllim do të ketë angazhimin e diasporës në çështjen shqiptare, por edhe në avancimin e mëtejme të raporteve shqiptaro amerikane.
Gazeta LAJM