Muhamedi a.s. ishte shumë i dashur, kujdesej tepër për shokët e tij, kur mungonte ndonjë prej tyre pyeste për të. Gruaja e tij, Aisheja, na tregon për të: “Kur ishte në shtëpi, ishte njeriu më i butë e më i ëmbël.”
Pejgamberi a.s. ishte shumë i përvuajtur. E urrente madhështinë e mburrjen. Nuk i vinte shumë rëndësi gjërave të kësaj bote. Megjithatë, e mbante veten shumë pastër, krihej e i mbante mirë flokët dhe lyhej me erëra të mira. Salltanete nuk donte. Shumë mbretër, princër e të parë i dërgonin dhurata të çmuara, por ai nuk i mbante për vete, i shiste dhe të hollat i përdorte për të ndihmuar të vobektit ose për t’i shërbyer fesë islame. Kurrë nuk e mbushte plot stomakun, asnjëherë nuk kërkoi nga familja e tij t’i përgatitej një ushqim i posaçëm, hante çfarë t’i vihej përpara dhe pinte çfarë i jepej nga pijet e lejueshme.
Ai ishte më bujar se retë që derdhnin shi, ndihmonte nevojtarin dhe përkrahte të vobektin, ushqente të uriturin e vishte të zhveshurin. Kurrë nuk i tha njeriu që i kërkonte ndihmë “Jo”, e nuk iu shmang asnjëherë nevojave të të tjerëve e kur s’kishte çfarë t’u jepte, i përcillte me fjalë të mira e priste derisa t’i jepte Zoti diçka që t’i ndihmonte.