Ismail Kadare, poet e prozator dhe një nga përfaqësuesit më të shquar të letërsisë shqiptare feston sot 83-vjetorin e lindjes. Ai është një ndër personalitet qendrore të kulturës shqiptare të gjysmës së dytë të shek. XX.
Ismail Kadare lindi në vitin 1936 në Gjirokastër, ku kreu arsimin e mesëm. Në vitin 1958 u diplomua në degën e gjuhës e të letërsisë në Universitetin e Tiranës e më pas vazhdoi studimet për dy vjet në Institutin “Gorki” në Moskë. Fillimet e tij letrare janë kryesisht në poezi (“Frymëzime Djaloshare”, “Përse mendohen këto male” etj).
Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963) përbën veprën e konfirmimit të talentit të tij.
“Kronikë në gur”, “Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “ Kush e solli Doruntinën” etj., janë disa nga veprat e tij më të rëndësishme që përbëjnë krijimtarinë e tij letrare.
Veprat e tij janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të huaja dhe është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë. Që nga vitin 1994 I. Kadare është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Ai është laureat i shumë çmimeve. Në 2005, Ismail Kadare fitoi çmimin “The Booker Prize Man”. I. Kadare është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit”, si dhe me mirënjohje të tjera.
Dimri
Dhe vjeshta i shkoi ‘fletët e saj’
i vërtit era, i perpjek
dimri si perandor kinez
ngjyrën e verdhë kudo e ndjek.
Dhe këto re qe tani vijnë
ndryshe nga retë e gjertanishme
të shkretat janë pa vetëtima
porsi djerina te mërzitshme.
Veçse nën to qyteti zien
me drita,zhurma dhe trafik
dhe flokët e tymta të uzinave
mbi supe i bien madhërisht.
Ja horizonti i bardhë i dimrit
përballë peisazhit që leviz
harxhon të fundmen vetëtimë
si reporteri të fundit blic.