49 pes – Jul Cezari kalon Rubikonin, duke sinjalizuar fillimin e luftës civile romake. Rubikon është një lum i cekët në Itali verilindore, rreth 80 kilometra i gjatë, nga malet Apenine në detin Adriatik. Rubico nga latinishtja “rubeus” do të thotë “i kuq”. Lumi është quajtur Rubicon për shkak të ujërave të kuq nga dheu ose balta (nga Rubico rrjedh edhe “rubrikë”, vend i veçantë në gazetë rrethuar me vija të kuqe, ose titull i nënvizuar me vijë të kuqe për të tërhequr vemendjen e lexuesit; ose emertimi “Rubik” i pasur me “bakër”, mineral që i jep dheut ngjyrë të kuqe. Shprehja “Kalim i Rubikonit” do të thotë se ngjarjet kanë kaluar një pikë pa kthim, se diçka e pashmangshme do të ndodhë. Sipas historianit romak Suetonius, kur të gjithë ushtarët kishin dalë në bregun tjetër, Cezari mërmëriti “alea iacta est” “guri (i lojës) është hedhur”.
1776 – Thomas Paine boton pamfletin Gjykim i Thjeshtë (Common Sense) me të cilin ai u paraqet kolonëve amerikanë argumentin për çlirim nga sundimi britanik, në një kohë kur pavarësia ishte çështje dite. Shumica e kolonëve në Amerikë ishin me prejardhje britanike, dhe e kishin të vështirë për të konceptuar sesi mund të kërkonin pavarësi nga vendi i prejardhjes. Amerikanët ishin të përçarë e në luftë; vëllai kundër vëllait, ati kundër birit, ndërsa ata që kërkonin pavarësi cilësoheshin tradhtarë nga Britania (p.sh., Benjamin Franklin, një nga themeluesit e SHBA-së, kishte në anë të kundërt djalin e tij të vetëm, William, i cili luftonte përkrah britanikëve kundër pavarësisë së Amerikës). Në pamfletin “Common Sense”, Thomas Paine shkroi thjeshtë, pa fjalë të mëdha, pa fjalë të huaja; ai arsyetoi qartë në një stil e gjuhë që njerëzit e thjeshtë t’a kuptonin; hoqi dorë nga termat filozofike dhe shprehjet latine, të përdorura nga shkrimtarë të kohës së Iluminizmit; Paine e mbështeti argumentin e pavarësisë në referencat fetare për t’u kuptuar nga të gjithë. Ai e krahasoi krijimin e një kombi të ri me krijimin e besimeve fetare, me Zot të përbashkët, por të pavarur në mënyrën e besimit. Paine e lidhi çështjen e pavarësisë si komb me pavarësinë e besimeve protestante për të krijuar një identitet të ri. Historianët e kanë cilësuar “Common Sense” si pamfletin më frymëzues të epokës së Revolucionit Amerikan.
1778 – Vdiq shkencëtari suedez Carl von Linne. Ai paraqiti nomenklaturën binare me të cilën çdo bimë dhe kafshë ka emrin e gjinisë dhe llojit.
1863 – Në Londër u hap metro e parë në botë.
1870 – John D. Rockefeller themelon në Ohajo korporatën Standard Oil, nxjerrësja dhe përpunuesja më e madhe e naftës në botë. Historia e saj si një nga korporatatat e para dhe më e madhja shumëkombëshe përfundoi në vitin 1911, kur Gjykata e Lartë e Shteteve e Bashkuara vendosi se Standard Oil ishte një monopol i paligjshëm. Si rrjedhim, korporata u shpërbë në 33 kompani të vogla, dhe Rockefeller u bë njeriu më i pasur në botë.
2001 – Wikipedia fillon si pjesë e projektit Nupedia. Bëhet faqe në vete pesë ditë më vonë.