17 Dhjetori është dita e 351-të e kalendarit gregorian (dita e 352-të në vitin e brishtë) – kështu që deri në fund të vitit kanë mbetur edhe 14 ditë.
1790 – Në Meksikë zbulohet guri kalendarik i njohur si Guri i Diellit apo Guri i 5 Epokave. Objekti, një skulpturë monolite, u zbulua gjatë riparimeve të Katedrales në kryeqytetin Meksiko. Guri është 3 metra e 70 centimetra në diametër dhe peshon rreth 24 ton. Qëllimi i saktë dhe kuptimi i këtij gurit është i paqartë. Arkeologët dhe historianët kanë propozuar një numër teorish; Guri i Diellit tregon se amerikanët autoktonë në Tenochtitlan (sot Meksiko) kishin njohuri të gjeometrisë dhe mekanikës për t’a lëvizur gurin nga gurorja në destinacionin përfundimtar.Një tjetër tipar i gurit ka të bëjë me matjen e kohës, kalendarin. Disa shenja ose glife tregojnë ditët dhe muajt, disa prej simboleve mund të përfaqësojnë 5 epokat nëpër të cilat toka besohet se ka kaluar që nga krijimi. Një tjetër karakteristikë e gurit mund të jetë rëndësia e tij gjeografike. Katër pikat mund të lidhen me të katër anët e dheut apo pikat kardinale. Qarqet e brendshme mund të shprehin hapësirë dhe kohë. Për më tepër, është aspekti politik i gurit, apo kultura vetë-centriste që synon të mbajë një popull së bashku, në këtë rast për të treguar se tenochtitlanët ishin qendra a botës dhe si rrjedhim, qendër e autoritetit. Banorët autoktonë për rreth kryeqytetit meksikan besojnë se në mbishkrimet e gurit fshihet historia e tyre dhe shpesh i referohen atij si Libri i madh i Historisë, ndërsa shkencëtarë, në Meksikë e SHBA kanë filluar prej kohësh punën për deshifrimin e simboleve të gdhendura në gur.
1920 – Shqipëria pranohet anëtare e Lidhjes së Kombeve. Kërkesa fillimisht hasi në kundërshtime nga Jugosllavia, Greqia dhe Franca, por pati mbrojtjen e zjarrtë nga përfaqësuesi i Afrikës së Jugut, Lord Robert Cecil. Përfundimisht, kërkesa u miratua me 35 vota në favor dhe asnjë kundër, me kusht që Shqipëria të zotohej për të drejtat e pakicave, veçanerisht në fushën e fesë dhe arsimit. Në emër të shtetit shqiptar, kjo pjese e marreveshjes u nënshkrua nga Fan Noli, atëhere kryepeshkop i Durrësit, i cili ndodhej në Gjenevë në krye të delegacionit shqiptar.
1932 – Tinka Kurti, aktore, “Zoja e randë” e teatrit dhe kinemasë shqiptare. Më 17 dhjetor 1932 lind Tinka Kurti në Sarajevë, Bosnjë Hercegovinës nga një baba shqiptar dhe nje nënë hungareze. Është më e madhja nga katër fëmijët. Familja e saj u shpërngu në në Shkodër kur ajo ishte në moshë të vogël. Pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Shkodër, ku edhe iu bashkua teatrit në moshë të re. U ngjit për herë të parë në skenë kur ishte vetëm 16 vjeç. Për disa vjet u aktivizua në teatrin amator në Shkodër. Më 1947 u përjashtua nga Liceu Artistik i Tiranës dhe nuk mori asnjëherë ndonjë diplomë shkolle, por kjo nuk e pengoi të bëhet një aktore e madhe dhe e shumë e kulturuar. Që nga viti 1949 e deri sa doli në pension ishte aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku interpretoi rreth 120 role. Veçanërisht e suksesshme në rolet e forta dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi. Shkëlqen me role protagoniste në “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “Toka Jonë” – ku luan në fillim Filen e pastaj Loken, “Fisheku në pajë” apo “Fejesa e Çehovit”. Kurti ka interpretuar edhe në kinema, në rreth 35 filma artistikë, duke filluar me filmin e parë shiptar të metrazhit të gjatë, “Tana”, më 1958. Ndër vepra të tjera janë Nënë Pashako tek “Yjet e netëve të gjata” (1972), nëna tek “Çifti i lumtur” (1975), Sinjorina Mançini tek “Vajzat me kordele te kuqe” (1978), Gjyshja tek “Zemra e nënës”. Tinka Kurti ka marrë çmime të shumta, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe në ato të teatrit. Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës. Dy kinema, një në Tiranë dhe një në Durrës mbajnë emrin e saj. Gjithashtu, emrin e Tinka Kurtit mban edhe një shkollë në fshatin Lekbibaj në Shqipëri. Në vitin 2003, regjisori shqiptar Esat Teliti realizoi një dokumentar të titulluar thjesht “Tinka” kushtuar jetës së saj. Ajo është aktive edhe në ditët e sotme. Një nga shprehjet e saj është: “Nuk e kam frikë plakjen e as vdekjen, por kam frikë nga plakja e trurit, dhe në qoftë se ky moment vjen në jetën time, mendoj se do të isha dy herë e vdekur. Për këtë arsye dua të vazhdoj të punoj.”