27 Shkurti është dita e 58 e vitit, deri në fund të tij janë edhe 307 ditë.
1854 – Kompozitori Robert Schumann shpëtohet nga një përpjekje për t’u mbytur në lumin Rin. Schumann (1810 – 1856) konsiderohet gjerësisht si një nga kompozitorët më të mëdhenj të epokës romantike. Biografët thonë se Schumann nuk ishte vetëm gjeni në muzikë por edhe si kritik dhe mendimtar, me një stil të shkruari aq të mprehtë sa edhe në muzikë; ai ndihmonte kompozitorët e rinj duke nxitur talentin e tyre, veçanërisht Brahms, dhe ndihmoi reputacionin e të tjerëve si Shopen e Mozart. Schumann vuajti nga një çrregullim depresiv gjatë gjithë jetës. Vdiq se refuzoi të hante – vuante nga mania se njerëzit përpiqeshin ta helmonin.
1897 – U botua në Stamboll “Alfabetarja e gjuhës shqipe” e përgatitur nga Sami Frashëri, Vaso Pasha dhe Koto Hoxhi, e cila çeli një epokë të re në fushën e teksteve shkollore.
1900 – U themelua FC Bayern München në München, Gjermani.
1922 – SHBA, Gjykata e Lartë mbështet njëzëri amendamentin e 19-të për të drejtën e grave për të votuar.
1933 – Ndërtesa e parlamentit gjerman, Reichstag, shkatërrohet nga zjarri. Hitleri menjëherë akuzoi komunistët dhe masa të ashpra u morrën kundër partisë Komuniste, ndërsa deputetët e saj nuk u lejuan në parlament. Kjo bëri të mundur që më 23 mars të miratohej akti që i dha qeverisë, dmth, Hitlerit, kompetenca diktatoriale. Në gjyqin e bujshëm mbi djegien e Reichstagut, një holandez i quajtur Marinus van der Lubbe u akuzua për zjarr-vënie si pjesë e një komploti komunist. Disa udhëheqës komunistë, duke përfshirë Georgi Dimitrovin, u akuzuan për bashkëpunim. Van der Lubbe u dënua me vdekje, të tjerët u shpallën të pafajshëm. Për shumë vite ishte supozuar se zjarri në Reichstag ishte vënë nga vetë nazistët si manovër propagandistike për të siguruar humbjen e komunistëve dhe partive të tjera të majta në zgjedhje. Megjithatë, të dhënat më vonë treguan se Van der Lubbe ishte zjarr-vënësi, dhe se Hitleri thjesht e përdori atë si pretekst për të nisur një fushatë kundër komunistëve.
1940 – Martin Kamen dhe Sam Ruben zbuluan Karbonin 14.
1957 – Udhëheqësi kinez Mao Tse-tung mban fjalimin “Për trajtimin korrekt të kontradiktave mes njerëzve”: “Kontradiktat midis nesh dhe armikut janë antagoniste; mes punëtorëve ato janë jo-antagoniste, ndërsa kontradiktat midis të shfrytëzuarve dhe klasës shfrytëzuese kanë edhe një aspekt jo- antagonist përveç atij antagonist”.
1964 – Qeveria e Italisë kërkon ndihmë për të parandaluar rënien e Kullës së Pizës e cila po bëhej gjithnjë e më e pjerrët. Një grup pune shumëkombësh i përbërë nga inxhinjerë, matematicienë, dhe historianë u mblodhën në ishujt Azore për të diskutuar metodat e stabilizimit të kullës. Nga përllogaritjet ata thanë se animi i Kullës së Pizës ishte rezultat i fundosjes së themeleve në njërën anë dhe propozuan shumë metoda për të stabilizuar kullën, duke përfshirë shtimin e një kundëRpeshë metali plumbi prej 800 tonësh. Kulla e Pizës sot është stabilizuar për të paktën edhe për 200 vjet të tjera. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, aleatët zbuluan se gjermanët ishin duke e përdorur kullën si pikë vrojtimi. Një oficer i ushtrisë amerikane u dërgua për të konfirmuar praninë e trupave gjermane në kullë dhe u impresionua aq shumë nga bukuria e katedrales sa që anuloi urdhërin për sulm me artileri, duke shmangur shkatërrimin e mundshëm të kullës. Në vitin 1987 kulla u shpall nga UNESKO si pjesë e Trashëgimisë së kulturës botërore.