Një herë e një kohë jetonte një mbret që nuk ishte i lumtur. Për këtë ai shkoi të këshillohej me një njeri të ditur. Plaku i ditur i tha se lumturia në këtë jetë është gjë e rrallë, por unë njoh një mënyrë të sigurt që mund ta sjellë lumturinë.
-Cila është ajo, – pyeti me ngulm mbreti.
-Të veshësh këmishën e një njeriu të lumtur, – u përgjigj i dituri.
Mbreti e përqafoi plakun dhe shkoi për të kërkuar hajmalinë. Vizitoi shumë qytete, provoi këmisha mbretërish, perandorësh, princërish dhe zotërinjsh, por më kot. Ai nuk ishte i lumtur. Pastaj veshi këmisha artistësh, luftëtarësh, tregtarësh etj, përsëri jo. Kështu mbreti shëtiti shumë pa gjetur lumturinë. Më në fund, i dëshpëruar se kishte provuar aq këmisha pa rezultat, po kthehej i trishtuar në pallatin e tij. Rrugës sheh një fshatar që ishte mjaft i gëzuar duke shtyrë qerren.
-Ja, më në fund, një njeri që është i lumtur, – tha mbreti dhe iu drejtua fshatarit:
– A je i lumtur?
-Po, – iu përgjigj ai.
-Dëshiron ndonjë gjë?
-Jo.
-A do të doje të ishe në vendin e mbretit?
-Kurrë.
-Mirë pra, ma shit mua këmishën tënde.
-Unë nuk kam këmishë.