Është koha për duá. Është koha për të ngritur duart e të lutemi si kurrë më parë. Momentet që po jetojmë na nxisin të lutemi siç na nxit hyrja e Ramazanit të agjërojmë, siç na nxit ezani të falemi. Retë e zeza mbi qiellin njerëzor na shtrëngojmë të hapim çadrat e turpit, të pendesës e të trishtimit për sojin njerëzor. Ndërsa ndjekim, edhe pse nga larg, krimet çnjerëzore mbi më të pafajshmet krijesa, fëmijët, na rrëqethen zemrat sikur t’i kishim përpara syve, sikur t’i preknim e t’u kërkonim falje në emër të njerëzores, që për një çast po bën edhe njëherë një betejë të ashpër për ekzistencë…
Është koha për duá. Sepse duája është çelësi i thesareve të pashtershme të Krijuesit, është streha më e sigurt e besimtarit. Teksa vëzhgojmë gjendjen e njerëzve të besimit përballë sfidave dhe intrigave të kohës, komplotet dhe kurthet që luhen mbi ta, reagimi që të vjen më natyrshëm është ndoshta një klithmë, një “Oh” që del nga thellësia e shpirtit e pasuar me një tjetër klithmë: “O Zot!…”
Është koha për lutje. Sepse Islami, feja jonë e bukur, drita e syve tanë, bota jonë e shpirtit kurrë më parë nuk është keqinterpretuar dhe keqkuptuar më shumë sesa tani. Sado e rëndë të jetë për ta pranuar, faktet kokëforta, përtej zullumit dhe pengesave të “armiqve”, tregojnë se ne si besimtarë nuk kemi mundur t’ia shpjegojmë botës si duhet madhështinë e Zotit të gjithësisë, Profetin e mëshirës, fenë e paqes, mesazhin e harmonisë, vëllazërisë, sinqeritetit. Ndaj, në këtë gjendje të rëndë ku gjendemi si besimtarë, ndoshta më e para strehë ku duhet të vrapojmë është duája. T’i kërkojmë Zotit falje për mëkatet që s’kanë të sosur; t’i kërkojmë Zotit falje për mirësitë ndaj të cilave kemi qenë mosmirënjohës, t’i kërkojmë falje Zotit për gabimet që s’kanë të mbaruar. T’i kërkojmë falje që për shkakun tonë njerëzit në vend që të afrohen, ndoshta janë larguar nga feja, ose kanë qëndruar larg saj sepse përfaqësimi ynë i gabuar i ka trembur. T’i kërkojmë falje Mëshiruesit që e kemi prezantuar veten gabim, jo si njerëz të paqes, të tolerancës, të mirëkuptimit, të zemërgjerësisë, të mëshirës, të dashurisë, por si turma të pafata të larguar prej këtyre vlerave që paraardhësit tanë i patën trashëguar brez pas brezi e ne nuk po dimë t’i ruajmë ato.
Ndoshta askush s’ka të drejtë të jetë i ashpër me njerëzit e besimit. Ndërsa shkruaj këto rreshta dridhem mos t’i hyj në hak mijëra apo miliona njerëzve që përpiqen me mish e me shpirt të jenë përfaqësues të denjë të normave të besimit, por, kur shikon ngjarjet e dhimbshme në gjeografinë ku jetojnë kryesisht myslimanët, është e pamundur ta mbash veten. Ajo që të trishton më tepër është kur njerëzit e besimit, myslimanët bëhen pjesë e zullumit, padrejtësive, trazirave, rrënimit; madje kur disa të mjerë pretendojnë t’i kryejnë këto paudhësi në emër të fesë, kjo të pikëllon pa masë. Dhe pyes: me ç’të drejtë ata përpiqen ta përziejnë faqen e ndritur të Islamit me tekat e tyre. A janë besimtarë këta njerëz? A janë të përdorur? Të mashtruar?…
Për të mos i pasuar gabimet me gabime e zullumin me zullum, për të mos i shtuar gjynaheve gjynahe e rrënimit rrënim, ndoshta i vetmi hap që na ngelet të hedhim, dhe gjykoj më i domosdoshmi për momentin është duája, është lutja e sinqertë, është përgjërimi, sikurse na e kanë mësuar të parët, me dorë në zemër.
Është koha për lutje, sepse lutja në vetvete është një tregues dhe domosdoshmëri e besimit, ku njeriu, duke paraqitur gjendjen e tij nevojtare, me përulësi e respekt kërkon prej të Gjithëmëshirshmit çfarëdo që kërkon.
Në këto ditë, kur gjithë këto intriga, komplote e kurthe qëndrojnë përpara besimit si kurthe tinëzare, ka një nevojë emergjente për duá. Ka nevojë për duá dhe përgjërim sa të dridhen zemrat e sytë të lotojnë rrëke. Sa më shumë njerëz të luten për diçka aq më shumë mundësi ka që Zoti ta pranojë atë. Kur Hz. Musai (a.s.) pati kërkuar rrugëdalje nga telashet që kishin shkaktuar një grup prej popullit të tij, Allahu i pati mësuar që të pendoheshin e të luteshin të gjithë së bashku për mëkatet e tyre.
Le t’i kërkojmë pra falje Allahut, të gjithë së bashku, së pari për gjynahet tona e më pas për të paudhët, për shkatërrimtarët dhe mizorët. T’ia lëmë në dorë Allahut që t’i ndryshojë e t’u pastrojë gjynahet edhe atyre, nëse nuk kanë aftësi të pastrohen të bëjë atë që do dhe di Ai. Ai është Gjykuesi më i Drejtë.
Le t’i kërkojmë falje Atij që di atë që shprehim dhe çfarë ne fshehim:
Zoti ynë, mos lejo që zemrat tona të devijojnë tani, pasi na ke udhëzuar. Por na dhuro mëshirë prej pranisë Tënde, sepse Ti je dhuruesi më i madh.
Zoti ynë i Madh, ne vetëm Ty të besuam, e vetëm te Ty mbështetemi. T’u drejtuam ty me tërë fuqinë e shpirtit, dhe e dimë që në fund, përballë Teje do të vijmë.
Zoti ynë i Lartësuar, mos na lër ne vetëm për vetëm me sprovën e mohuesve! Na fal neve, sepse padyshim që Ti je i Shenjtë e i Urtë.
Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë. Zoti ynë, mos na ngarko neve ngarkesa si iu ngarkove atyre para nesh. Zoti ynë, mos na ngarko mbi atë që ne kemi forcë të mbajmë.
Zoti ynë, ne i kemi bërë padrejtësi vetes. Nëse Ti nuk na fal dhe mëshiron, me siguri do të jemi prej të humburve.
Ne jemi të padrejtë, të rrënuar dhe të shkatërruar. Si myslimanë kurrë në histori nuk kemi qenë kaq larg Teje. Kurrë nuk kemi hyrë në thellësi të tilla të dështimit. Kurrë nuk kemi qenë kaq pa Ty. Na dërgo një fllad shprese prej mëshirës Tënde. Na e ndrysho këtë gjendje mjerimi.
O strehë Burimi për të mjerët, O posedues i ilaçit për të sëmurët dhe udhëzues i qartë për të humburit! Ne të braktisëm Ty dhe u dalldisëm drejt botës. Gjatë kësaj kohe askush nuk i hapi dyert për ne. Mendimet tona u quajtën krime, ndjenjat tona u përbuzën dhe u përqeshën, veprimet tona u dënuan deri sa ne të kuptojmë se s’ka strehë tjetër veç derës së Mëshirës Tënde.
Por, Zoti ynë! Ne e dimë që deri më tani, asnjë nga ata që kanë pritur pranë derës Tënde nuk janë kthyer duarbosh, por janë kthyer prej aty me bekim prej Teje, të falur, të mëshiruar, të udhëzuar e plot shpresë. Prandaj të kërkojmë me përgjërim: hapi portat e faljes dhe mëshirës.
Dërgo një dritë nga prania Jote për ata që vuajnë në errësirë, sidomos këto ditë, kur rrethanat sociale janë në çrregullim të plotë; kur zërat e tiranëve dëgjohen kudo. Shuaj zjarrin e tiranisë dhe padrejtësisë me fuqinë tënde të pafund. Na jep një ilaç për të gjitha fatkeqësitë që kemi vuajtur për shekuj me radhë. O më i Mëshirshmi, Më i Dhembshuri, pranoji lutjet tona!
O Zot i Mëshirës dhe Faljes, forcoji zemrat tona në fe. Mbushi zemrat me besim. Udhëzona ne, familjet tona, shoqërinë tonë! O i Dashur, dhurues i dashurisë, furnizoji zemrat tona me dashuri e mëshirë! Pastroji zemrat tona nga urrejtja, smira, xhelozia, armiqësia dhe çdo e keqe. O Zot, dhuroi vendit tonë paqe, begati e mirësi dhe mbroje nga çdo rrezik e fatkeqësi…
O Zot, dhuroji botës paqe e qetësi.
Përpos kësaj duáje të shkurtër, çdo besimtar mund të lundrojë në oqeanin e ndjenjave të veta dhe t’i lutet Zotit me sinqeritet dhe besim të plotë. Le t’i lutet, tani është koha për lutje.
Është koha për lutje sepse në kopshtin e myslimanëve ka pllakosur zia e përçarjes, e varfërisë, e injorancës, e egoizmit, e dëshirës për famë, për pushtet e për t’u duartrokitur. Listës së këtyre armiqve të botës sonë shpirtërore tashmë i janë bashkëngjitur edhe mashtrimi, detyrimi me forcë, ekstravaganca, pandjeshmëria, indiferenca dhe ndotja intelektuale.
Është koha për lutje që të mbarojë mizoria e mizorëve, tirania e tiranëve, çmenduria e dëshirave pa fre të kësaj bote. Është koha për duá që të rikthehet buzëqeshja në buzët e jetimëve, të pastrehëve, nevojtarëve, të ndizet shpresa në zemrat e të dhunuarve, të shtypurve të vuajturve…
Është koha t’i lutemi Atij që i dëgjon lutjet, Atij që i përgjigjet kërkesave tona!