Kryeministri Rama për reformën: Ky proces mund të shënojë një “ndarje të re dramatike” për vendin

rama-8-655x356

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të rinjtë politikë për të folur për fjalën e paralajmëruar pas takimit me kreun e Parlamentit Ilir Meta dhe atë të Opozitës Lulzim Basha. Rama ka mbajtur një fjalim të gjatë ku ka shpjeguar rëndësinë  e kësaj reforme dhe se kush është bërë pengesë e sajë sipas tij. Rama ka paralajmëruar se ky proces mund të shënojë një “ndarje të re dramatike” për vendin.

Rama ka deklaruar se, reforma në drejtësi është një revolucion i mirëfilltë dhe sipas tij, “nuk ndodh gjithnjë që një revolucion i vonuar të jetë objekt i një diskutimi kaq të madh përballë një muri shurdh që synon me çdo kusht ta pengojë këtë revolucion paqësor dhe transformues për gjeneratën tjetër dhe të tjerat”.

“Kjo është reforma më e rëndësishme dhe vetëm pak ditë na ndajnë nga një moment deri tek i cili unë do të shpresoj deri në minutën e fundit se do të arrihet bashkimi i të gjithëve për t’i celur rrugën këtij transformimi, por që mund të jetë edhe momenti dramatik për një ndarje të re”, ka deklaruar Rama.

Sipas tij, ndarja në fjalë është: “Mes atyre që janë të vetëdijshëm përse janë në Parlament dhe atyre që po bëjnë çmos për të mos e lejuar këtë transformim kolosal”.

“Ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi deri në fund të vendosur që t’i hapim rrugë këtij revolucioni dhe të mundësojmë që Shqipëria të ndahet nga një epokë e karakterizuar nga mungesa e drejtësisë, kultura e pandëshkueshmërisë dhe pamundësia e njeriut të zakonshëm për të gjetur të drejtën në një derë gjykate”, ka thënë Rama.

Pin It