Njeriu është një qënie, e cila është vazhdimisht në marrëdhënie me natyrën, të tjerët dhe veten. Kjo është arsyeja se sa herë mendojmë për mirësitë e Zotit ne na vjen në mendje familja, shëndeti, puna e mirë apo një pamje piktoreske që na qetëson e relakson.
Po a na vjen në mendje liria? A na vjen në mendje fakti se Zoti na ka krijuar të lirë?
Njerëzimi po arrin deri aty sa njeriu po krijon njeriun nga klonimi e në mënyrë robotike. Ai me të vërtetë po krijon trupin, por kurrsesi shpirtin. Pse?! Sepse po krijon ngjashmërinë e tij, por nuk po po e krijon të lirë. Ai po e krijon të mekanizuar e të kufizuar.
Ndërsa Zoti, i pa ngjashëm me asgjë dhe me askënd, na krijon të lirë duke na vendosur dy korsi.
Zoti na jep lirinë e zgjedhjes për mënyrën se si ne do të ndërtojmë jetën. Prandaj dhe njeriu është krijesa më e dashur për Të, sepse në qoftë se robi e adhuron Krijuesin e Tij sinqerisht, ai e bën këtë i lirë e me ndërgjegje të plotë. Ai e bën sepse e ka njohur Zotin dhe është bindur për madhështinë e Tij.
Zoti na jep lirinë e kjo na sjell dhe përgjegjësinë. Liria, sot, është një koncept që keqkuptohet rëndom. Ajo ngatërrohet me shthurjen e imoralitetin.
Ditët e sotme dëgjojmë e lexojmë rëndom se liria është të mos pyetësh për asgjë e askënd, kur në fakt është e kundërta.
Le të marrim një shembull të thjeshtë:
Jemi në një magazinë me 50 punëtorë, të cilët po bëjnë punë mekanike e papritmas ndodh një problem i madh.
Cili do përgjigjet fillimisht punëtori apo përgjegjësi? Natyrisht që përgjegjësi, sepse ai është më i lirë për vendimet e tij sesa punëtori, i cili thjesht ndjek një punë të mekanizuar.
Pra kjo dhuratë e madhe sjell rrjedhimisht dhe përgjegjësinë dhe pikërisht për këtë arsye kemi llogari përpara Zotit.
I Gjithëdijshmi më dha lirinë që unë të bëj një zgjedhje e për këtë zgjedhje mbaj përgjegjësi.
“Çdo njeri është peng i veprave të veta” (Tur, 21)
“Thuaj: o njerëz, tash ju ka ardhur e vërteta nga Zoti juaj. Kushdo që e pranon udhëzimin, e pranon për të mirën e vet; kushdo që merr drejtim të keq, e bën këtë në dëm të vetvetes. Dhe unë nuk jam dërguar tek ju si Uekiil [rregullues i çështjeve] “ (Junus, 108)
“Dhe thuaj: E vërteta është nga Zoti yt. Atëherë, kush të dojë, le të besojë; kush të dojë, le të mohojë “ (el-Kehf, 29)
“S’ka shtrëngim në fe. Vërtet, rruga e drejtë është e qartë ndaj rrugës së gabuar” (Fusilet,46)
Zoti e ka krijuar njeriun të lirë me mundësinë për të zgjedhur, e ka bërë të aftë për të dyja rrugët.
“Vërtet, Ne ia kemi treguar rrugën, qoftë ai mirënjohës apo mosmirënjohës”
(elInsan, 3)
Ajetet e Kuranit Famlartë na e dëshmojnë se Zoti na krijoi lirinë dhe e do lirinë. Ai nuk e do shtrëngimin në fe.
Pasi siç ka thënë dhe Muhamed Gazali adhurimi nuk është bindje me anë të forcës dhe zemërimit, por bindje me anë të dëshirës dhe dashurisë.
Dihet se njerëzit nuk arrijnë perfeksion e produktivitet nëse e bëjnë diçka pa dëshirë, ashtu siç nuk do arrinin te ëmbëlsia e besimit në Zot nëse do detyroheshin.
Për ta mbyllur, liria është një nga dhuratat më të mëdha që Krijuesi jonë na ka bërë.
Ajo është fillesa e çdo arritje të suksesshme dhe e besimit të qëndrueshëm.
Klivia Kafexhiu