Kur Ebu Bekri, Halifeja musliman, nisi ushtrinë për luftë nën komandën e Usames, i porositi:”Mos ua prisni pemët dhe mos ua vrisni kafshët…!”
Si udhëheqës musliman, ai ishte i interesuar të përhapë paqen dhe t’a rmbrojë ambientin të pastër, siç e kishte krijuar Zoti. Duke dërguar ushtrinë e tij për në Sham ai synonte të parandalojë çdo sulm nga romakët dhe njëkohësisht shtrirjen e Kalifatit në ato treva. Edhe pse këto janë objektiva madhorë që kanë të bëjnë me të ardhmen e shtetit islam dhe të muslimanëve, ai nuk harronte t’i kujtojë ushtarët dhe komandantët e tij me rëndësinë e ambientit.
Ambientit, një kujdes të veçantë i kushtonin dhe dy halifet pasardhës, Umer ibnul Hattabi dhe Ali ibnu Ebi Talibi, Zoti qoftë i kënaqur me ta.
Pasi u bë Halife i muslimanëve, Umeri pa një ditë një parcelë toke të pambjellë dhe të papunuar. Kur pyeti se kujt i përkiste, i thanë se është e Bilalit. Menjëherë, ai ia konfiskoi.
Një burrë, vajti tek Ali ibnu Ebi Talib dhe i tha:”O Prijës i besimtarëve! Unë kam përvetësuar një tokë të djerë. Atë e punova, e mbolla dhe e vadis nga lumi.”
Aliu ia ktheu:”Paske ngjallur diçka të vdekur.”
Një ditë, Ebu Derdai po mbillte një arrë. Një burrë që kaloi pranë tij, e pyeti i çuditur:”Çfarë po bën o Ebu Darda?”
Ai iu përgjigj:”Po mbjell një arrë.”
Burri i tha:”E ç’të duhet ty të mbjellësh arra? Ti je i moshuar dhe nuk do të të jepet mundësia t’i shijosh frutat e saj!”
Ebu Dardai ia ktheu:”E ç’të keqe ka, nëse e mbjell unë, kurse frutat ia shijojnë të tjerët?!”
Edhe pse ishte i moshuar dhe nuk kishte shpresë që t’i shijojë frutat e arrës, ky shok i Profetit (a.s), mendonte për të tjerët. Ai ishte largpamës dhe duke mbjellë pemë, kontribuonte në mbrojtjen e ambientit.
Vetë profeti Muhamed a.s, na mëson si t’i shfrytëzojmë mundësitë që na jepen, për të fituar shpërblim dhe kënaqësinë e Zotit. Ai na mëson si t’a mbrojmë ambientin dhe si të kontribuojmë në pastërtinë e vendit ku jetojmë dhe banojmë.