Me anë të Kur’anit, Allahu bën interpretimin e librit të gjithësisë. Për rrjedhojë, edhe çështjet lidhur me njeriun i cili, si qenia më e përsosur, i përfton gjithësisë kuptimin e saj të vërtetë, edhe të vërtetat shkencore gjithsesi nuk lihen mënjanë, por zënë vend në Kur’an sipas përbërjes dhe rëndësisë që kanë. Megjithëse Kur’ani nuk është libër fizike, astronomie apo mjekësie, çështjet lidhur me këto shkenca, zbulimet, përcaktimet dhe konkluzionet shkencore që kanë për t’u bërë gjer në kiamet si dhe mjetet teknike të lidhura shumë ngushtë me jetën e njeriut, zënë vend nëpër faqet e tij, sipas peshës dhe rëndësisë që kanë, në forma dhe përmbajtje të ndryshme, herë si një farë, herë si një shenjë, herë si hipotezë, herë si simbole dhe herë si ligje dhe parime të formuluara. Duke mos e nënvleftësuar dhe lënë mënjanë asnjërën prej dijeve dhe shkencave që do të kenë marrëdhënie me njerëzit gjer në kiamet, Kur’ani ka thënë fjalën e fundit duke vënë në çdo fushë gurët shenjues dhe, duke ngulur flamurin në majat ku kanë për të arritur njerëzit, e nxit njeriun të cilit i është dhuruar mendje, aftësi njohëse dhe arsyetuese, të bëjë kërkime dhe përpjekje në këto fusha!