Namaze të falur shpejt, pa kujdes, lutje të pabëra… në shumicën e rasteve ne e mbledhim menjëherë sexhaden pasi përfundojmë faljen e namazit pa bërë tesbihet apo duanë duke nxjerrë si shkak punët tona të përditshme. A e kuptojmë se çfarë humbasim duke vepruar në këtë mënyrë?
Nganjëherë zhytemi aq shumë në telashet e kësaj bote saqë edhe adhurimet e detyrueshme i lëmë për në minutën e fundit. Duke vepruar kështu në të vërtetë humbasim mundësinë e arritjes së faljes së dhuruar nga Allahu i Madhëruar. Tesbihet dhe lutja pas namazit ndoshta është një nga këto mundësi. Kuptimi i namazit është madhërimi dhe falënderimi. Pra ti do të thuash “Subhanallah” me gojë dhe me sjelljen tënde për të madhëruar Zotin (xh.sh.), të thuash “Allahu Ekber”, të lartësosh Zotin, dhe “Elhamdulillah”, të falënderosh Zotin me zemër, gojë dhe trup. Pra madhërimi, lartësimi dhe falënderimi janë bërthama e namazit.
Në shumë vende namazi i pashoqëruar me tesbih dhe lutje përngjan me një letër të futur në zarf por të pa postuar. Në një hadith të transmetuar nga Ebu Hurejre (r.a.) Profeti ynë i nderuar flet për rëndësinë e lutjeve pas namazit me këto fjalë: “Ai person i cili pas çdo namazi thotë 33 herë subhanallah, 33 herë elhamdulillah, 33 herë Allahu Ekber dhe më pas për të plotësuar 100 thotë Lâ ilâhe illallâhü vahdehû lâ şherîke leh lehü’l mülkü ve lehü’l hamdü ve hüe alâ kül-li shej’in kadîr, do t’i falen të gjitha mëkatet qofshin ato në madhësinë e shkumës së detit”.
Kjo kohë kaq e shkurtër pas namazit ndoshta do të hapë dyert e faljes. A nuk është e paudhës të shpërdorohet një mundësi e tillë?
Dhikri (përmendja e Allahut) i bërë pas namazit është shumë i rëndësishëm. Ndërsa lutja është thelbi i adhurimit. Nga aspekti psikologjik mund të themi se dhikri përbën një pike kyçe në fushën e adhurimeve. Dhikri është mënyra më objektive e përpjekjes për ta vendosur në zemër dashurinë për Allahun (xh.sh.). Për këtë arsye edhe në Kur’an nuk thuhet falni shumë namaz apo agjëroni shumë por thuhet: “Përmendeni shumë Allahun”. Namazi është adhurim themelor por jo pak e rëndësishme është dhe përmendja e Allahut me gjuhë me fjalët “subhanallah”, “Allahu Ekber”. Nga ana psikologjike lutja konsiderohet një lidhje e veçantë mes individit dhe Zotit. Një namaz pa lutjet dhe tesbihet e fundit nuk është i mangët, por nëse ato kryhen ai do të ishte më i plotë.
Nëse analizojmë shumë ajete të Kur’anit dhe thënie të Profetit (a.s.), mund të kuptojmë shumë mirë faktin se njeriu duhet të shfrytëzojë sa më shumë kohë për të përkujtuar dhe falënderuar Allahun. Në Kur’anin Famëlartë përkujtimi i Allahut është vendosur mbi të gjitha adhurimet tjera. Nga ana tjetër në një ajet të sures “Zumer” thuhet se janë të humbur dhe të shthurur ata të cilët e kanë të ngurtësuar zemrën ndaj përmendjes së Allahut. Edhe në hadithe është theksuar se vepra më e mirë është përmendja e Allahut. Nën dritën e gjithë këtyre fakteve e kuptojmë se përmendja e Allahut para apo pas namazit, dhikri, bërja e duasë janë të domosdoshme për krijimin e një adhuruesi të sinqertë dhe modest. Ata të cilët nuk i zbukurojnë namazet apo adhurimet e tjera me lutje, adhurime shtesë, dhikër dhe tesbihë nuk mund të shijojnë plotësisht ëmbëlsinë e besimit.”
Përmendja e Allahut pas dhënies selam, bërja e lutjeve të mësuara nga ana e Profetit (a.s.) dhe kërkimi i faljes nga Zoti është sunet. Profeti ynë (a.s.) lexonte lutje të ndryshme menjëherë pas selamit. Disa prej këtyre lutjeve i ka lexuar menjëherë pas namazeve farz e disa të tjera edhe pas farzit edhe pas nafileve. Duke parë lutjet e bëra pas namazeve farz shumë dijetarë myslimanë kanë pohuar se bërja e lutjeve pas namazeve farz është më e përshtatshme se bërja e lutjeve pas namazeve nafile. Krahas kësaj edhe vlera e Ajetit Kursi të lexuar pas namazit është shumë e madhe.