LIBRI DHE KULTURA – “Koleksioni i rrallë i veglave muzikore”

“Kultura është në popull”- thotë Ermal Sela, muzikanti dhe koleksionisti i cili ishte në studion e Radio Spektrum, në emisionin ” Libri dhe kultura”.

Përtej pasionit dhe dashurisë për muzikën koleksionimi i veglave muzikore ka një rëndësi unike për kulturën tonë kombëtare. Ermali koleksionon gati 100 vegla muzikore, më e vjetra ndër to është një lahutë e bërë nga bleta. Disa prej këtyre veglave janë mbi 100 vjeçare, çka dëshmon për një traditë të lashtë të historisë e muzikës sonë. Lahuta në vetvete përfaqëson gjithë historinë e kombit.

“Kemi një lidhje shpirtërore mes jetës së përditshme dhe instrumentit të lahutës e cila tek shqiptarët është shumë e shtrenjtë, ajo qëndron mbi oxhak në lartësinë ku nuk mund të preket nga fëmijët, kjo ndodh sepse aty është shkruar e gjithë historia jonë. Supozohet se gojëdhëna e Mujit dhe Halilit është vijim i vargjeve Homerike”-thotë Ermali.

Ka ende sot rapsodë që dinë përmendësh 1000-2000 vargje nga lahuta. Sela ka mendimin se lahuta është përdorur përtej Malësisë së Veriut. Ermali ngre shqetësimin se këto vegla muzikore po shkojnë drejt zhdukjes, ne duhet të krijojme identitet kulturor, duhet të identifikohemi. Duhet të krijohet klima e duhur, duhet të shkojme tek burimi dhe ta ringjallim e ta përcjellim atë.

Ermali na njohu me zunaren, një vegël muzikore në familjen e pipëzës, ku janë gjashtë lloje të tilla. Të rëndësishme për t’u përmendur janë lahuta, llahuta, pipëza, saze, fyelli, çifteli, instrumenti i bakllamasë etj etj. Ermal Sela në kuadër të Festivalit të Tunxhit ka realizuar 3 ekspozita ku janë shfaqur për publikun këto vegla muzikore. Për më tepër ndiqeni të plotë intervistën.

veg1

veg2

veg3

Pin It