Ai ishte mbreti i fjalës dhe shprehjes, tek ai e pati gjetur vlerën e vërtetë margaritari i fjalës. Ai nuk pati marrë në dorë as penë e as bojë, nuk qe njohur me asnjë libër, nuk qe ulur në rrethin mësimor të askujt, nuk pati mbetur i detyruar ta quante mësues e mjeshtër askënd dhe kurrë nuk pati lejuar të hidhej pluhur mbi faktin që vetë ishte kryemësuesi dhe kryemjeshtri i përgjithshëm. Në lidhje me interpretimin e urdhrave hyjnorë, kjo do të thoshte që Allahu i mbronte së pari urdhrat e veta dhe, pastaj, aftësitë natyrore të Profetit nga ndikimet dhe konsideratat e jashtme me qëllim që arritjet mendore dhe informacionet e jashtme të mos e turbullonin çështjen dhe të mos e derdhnin në ngjyra dhe kallëpe të tjera.
Ai pati thënë fjalë të tilla, pati parashtruar konkluzione të tilla dhe, kur pati qenë vendi, pati marrë vendime të tilla që, nga dijetarët e shumëditur te gjenitë më të zgjedhur, nga kokat më filozofike te shpirtrat më të ndritshëm, çdo njeri mbetej pa mend para atyre fjalëve, atyre konkluzioneve dhe atyre vendimeve! Historia është dëshmitare se askush s’pati thënë dot ndonjë gjë kundër forcës shprehëse të tij, s’e pati gjykuar dot asnjë konkluzion të tij dhe s’pati marrë guximin për ta kritikuar asnjë punë të tij!