Tragjedia “Medea” vepër e Euripidit solli premierën këtë fundjavë për publikun kryeqytetas për të përçuar artin e interpretimit të aktorëve të ndërthurur me këtë dramaturgji botëror.
Kjo vepër e antikitetit grek u shfaq në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental ”Kujtim Spahivogli”me regji nga Dimitris Mylonas.
Protagonist në vepër ishin aktorët e mëdhenj të skenës shqiptare si , aktorja Luiza Xhuvani,Alfred Trebicka, Viktor Zhusti, Roza Anagnosti, Ahmet Pasha e shumë të tjerë.
Luiza Xhuvani vjen në rolin e Medeas. Një personazh për të cilin aktorja ka treguar përpara premierës se ka shfrytëzuar gjithë potencialin artistik.
“Medea është maksimumi i sfidës për një aktore. Kërkon një potencial të jashtëzakonshëm. Duke qenë sfidë është e rëndësishme që një krijues e ka në gen antikitetin.
Personazh që përjeton ekstremitet e jetës. Për këtë personazh jam përpjekur të shfrytëzoj gjithçka nga përjetimet e mia artistike apo personale” u shpreh mes të tjerave aktorja Xhuvani për rolin në tragjedinë e Euripidit. Në skenë me aktoren Luzia Xhuvanit, që interpreton rolin e Medeas, një nëne që vret fëmijët e saj, ka interpretuar dhe aktorja Roza Anagnosti në rolin e Mëndeshës. Në këtë vepër të antikitetit regjisori i ka besuar rolin e Mëndeshës. Tragjedia e Euripidit është përkthyer nga aktori Viktor Zhusti, të cilit regjisori i ka besuar në vepër rolin e Kleontit. Vepra “Medea” është maja e dramaturgjisë botërore .Medea njihet për aktin më makabër, që ka mundur të bënte një nënë: vrasjen e fëmijëve të saj, si hakmarrje për tradhtinë e të shoqit, Jasonit, i njohur për lakminë e tij për pushtet. Tragjedia e lashtë greke “Medea” bazohet në mitin e Jasonit dhe Medeas dhe u ngjit në skenë për herë të parë në vitin 431 p.e.s.
Kjo tragjedi është një tablo mjeshtërore e pasionit me nënshtresat dhe zgavrat e tij sekrete. Vuajtja dhe ndjeshmëria e dashurisë së vrarë vizatohen fuqishëm, deri sa kulmojnë me veprën e tmerrshme të hakmarrjes. Fuqishëm vjen dhe gruaja me joshje të jashtëzakonshme, e cila është njëkohësisht e dobët.
Notat e butësisë mëmësore janë patetike në shkallën më të lartë. Lufta e emocioneve, gjeneruar nga pasioni, rrëfehet në mënyrë të admirueshme; dhe mes gjithë stresit nga konflikti i tyre, dhe mes gjithçkaje të sofistikuar dhe iluzive, që gërryen shpirtin, urrejtja dhe hakmarrja fitojnë betejën. Medea është kriminele, por jo pa shkak dhe jo pa forcë e dinjitet. “MEDEA” është ngjarja teatrore e momentit qe nuk duhet humbur e cila do të ngjitet përsëri në skenë pë publikun në datat 7-8-9-10-11 Shkurt. /ATA/