MELODI E ZEMRËS – KURBAN BAJRAMI

mmmmelo

Emisioni “Melodi e Zemrës” këtë herë iu kushtua dimensionit të festës së Kurban Bajramit si simbol i heroizmit, sakrificës, vetëmohimit dhe dorëzimit të plotë tek Zoti.

Të ftuar në studio ishin teologu Armand Islami dhe financieri Uran Deri, biseda me të cilët i parapriu atmosferës së përshpirtshme të Kurban Bajramit, duke risjellë në kujtesë rëndësinë e këtyre ditëve.

Si fillim teologu Armand Islami foli për fillesat e kësaj feste që me Profetët e nderuar Ibrahim dhe Ismail a.s., duke theksuar vendin e devotshmërisë dhe vetëmohimit në këtë ngjarje. Ai tha se bindja për të sakrifikuar të birin ishte tregues i veçanësisë së Hz. Ibrahimit, duke e ilustruar këtë me porosinë që Allahu i dha profetit Muhamed a.s.: “Jeto sa të duash por një ditë do të largohesh; dashuro kë të duash, një ditë ke për ta lënë; bëj çfarë pune të duash, do ta marrësh shpërblimin për të.”

Teologu Islami tha se sprovat më të mëdha janë për gradët më të larta të xhennetit dhe solli gjithashtu shembullin e Hz. Ejubit, krahas bindjes së Hz. Ismailit i cili e priti vendimin e të atit me përgjigjen: “Me lejen e Allahut do të më gjesh mua prej durimtarëve”.

Më tej emisioni vijoi me një insert i cili solli ndjesitë e tekbireve në Qabe, mallin e ritakimit, ëndrrën për përjetësi dhe ëmbëlsinë që sjell kënaqësia e të qënurit besimtar i një Zoti të vetëm. Kurban Bajrami na kujton se jemi bërë pak më shumë të përjetshëm dhe kemi përparuar më shumë drejt mbajtjes së premtimit të marrëveshjes së besimit. Thirrjet ‘Allahu Ekber’ dhe ‘La ilahe il Allah’ përcjellin atmosferë pendese në këto ditë.

Ndërsa financieri Uran Deri qëndroi më shumë tek aspekti shoqërizues i festës, e cila afron zemrat e njerëzve duke gëzuar farefisin, fqinjin dhe më të varfërit, bën që njerëzit t’i ndodhen pranë njëri-tjetrit në vështirësi. Z. Deri tha se nevojitet që të nxisim njëri-tjetrin, të rikujtojmë nevojën për të dhuruar dhe për të ndarë kurbanin me të tjerët, pasi ajo që e pengon këtë gjë është shpesh vetëm mungesa e solidarizimit. “Lumturimi i të tjerëve lumturon më shumë personin që dhuron.”

Të ftuarit gjithashtu përmendën kushtet që duhet të përmbushë kafsha që bëhet kurban, detyrimin e therjes së kurbanit dhe mënyrën e ndarjes së mishit me të tjerët.

“Duke ndihmuar njërit-tjetrin fitojmë dashurinë e allahut”, – thane të ftuarit duke theksuar qe tek Allahu nuk arrin as mishi as gjaku por devotshmëria e besimtarit.

Për të përfituar më shumë nga atmosfera shpirtërore në këtë prag Kurban Bajrami, ju ftojmë të dëgjoni emisionin e plotë të datës 7 shtator 2016.

 

Pin It