Memoriali i ikonës së muzikës shqiptare, Vaçe Zela vendoset në “Sheshin e Qytetarëve” në Lushnjë

Memoriali kushtuar “Artistes së Popullit”, Vaçe Zela u vendos sot në “Sheshin e Qytetarëve” në qytetin e Lushnjës.

I gjithë sheshi sot ishte i Vaçe Zelës, e cila i dha dinjitet me praninë e saj të derdhur në bronz dhe me këngët e shumta, që me zërin e motrave Libohova, Irmës dhe Erandës, si dhe të Sidrit Bejlerit, Orgesa Zaimit, Klint Çollakut, Dario Zelës, Elida Gjermenit, Valbona Hekuranit, Nikoleta Allkanjarit, Gëzim Xhaxhait, ngritën peshë zemrat e qytetarëve dhe të rinjve, që kishin mbushur sheshin si kurrë më parë.

Kryetari i bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe, në fjalën e tij përshëndetëse, përurimin e statujës të Vaçe Zelës e quajti një ngjarje të shënuar, që i bashkohet festës së madhe të 100 vjetorit të Kongresit të Lushnjës.

“E kemi dëshiruar e pritur këtë ditë e çast kur Vaçe Zela “Artiste e Popullit”, “Nderi i Kombit”, “Qytetare Nderi” e Lushnjës të vinte përsëri në qytetin e lindjes ku e deshën dhe respektuan pa fund. Të vinte e të ulej këtu mes nesh me kitarë në dorë e të këndonte këngët që nuk do të harrohen kurrë”, – tha Tushe.

Ashtu si dikur, tha Tushe, ajo do të frymëzojë çdo artist e qytetar.

“E pavdekshmja Vaçe Zela do të shoqërojë jetët tona e përshtatur në në bronz. Ta gëzojmë këtë memorial të këngëtares së madhe në “Sheshin e Qytetarëve”.

Irma Radiqi, vajza e Vaçe Zelës, e cila zbuloi edhe memorialin kushtuar këngëtares së madhe, u shpreh se “një falënderim nga thellësia e shpirtit për dashurinë që i keni falur jo vetëm sa ishte gjallë , por edhe sot. Lushnja ka qenë gjithë jetën në zemrën e saj dhe besoj edhe nga atje lart është mirënjohëse për gjithçka i keni dhuruar”.

Vaçe Zela kishte një zë të rrallë si ai i flladeve dhe i ujëvarave pranverore, zë ky që për më shumë se 40 vjet hyri në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë Atdheut.

Vaçe Zela që në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën “Fëmija i parë” ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Zëri dhe repertori i pasur që la trashëgimi vijojnë të mbeten gurë shndritës në gjerdanin e traditës shqiptare të këngës.

Vaçe Zela lindi në vitin 1939 në buzë të kënetës së Tërbufit në Lushnjë. Që e vogël u dallua për karakterin e saj artistik. Fillimisht u vu re dëshira e saj e madhe për të kënduar dhe për të kërcyer. Prandaj, më vonë vijoi mësimet në Liceun Artistik “Jordan Misja”, për të qenë në grupin e artistëve të rinj që do të përfaqësonin Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në Moskë, në vitin 1956, kur ishte vetëm 17 vjeçe. Ky ishte ballafaqimi i saj i parë me skenën ndërkombëtare. Kështu, dalëngadalë, që nga ajo ditë filloi të bëhej e njohur edhe brenda vendit. Pjesëmarrja e saj në estradën e qytetit dhe në shfaqjet nëpër mbarë Shqipërinë ishin një ogur i mirë për rrugën që kishte nisur. Në vitin 1961 filloi të ishte pjesë e Estradës së Ushtarit.

Nga këtu nisi edhe karrierën artistike në kryeqytet. Mori pjesë në festivalin e parë të këngës së lehtë në radio në vitin 1962, për të interpretuar deri në vitin 1981 në Radio- Televizion, ku u shpall dhe fituese e çmimit të parë. Studioi për art dramatik, por iu kushtua këngës së lehtë dhe këngës së përpunuar popullore. Ka marrë pjesë në 26 festivale kombëtare ku ka fituar 10 herë Çmimin e Parë.

Vaçe Zela ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit. Zërin e saj e dëgjojmë tek filmi “Në shtëpinë tonë”. Në vitin 2008, me rastin e 69-vjetorit të lindjes, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i akordoi titullin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Për vlerat e rralla si artiste e shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”.  Gjithashtu ajo mbante edhe titullin “Artiste e Popullit”.

Numërohen rreth 55 këngë që prej fillimit të karrierës në vitet ’60 e deri në festivalin e fundit në RTSH.

Disa nga këngët që do të mbeten në kujtesën e publikut janë: “Fëmija i parë”, kompozim i Agim Krajkës, të cilën Vaçja e ka kënduar në vitin 1962 në Festivalin e Parë të Këngës, “E dua vendin tim”, “Djaloshi dhe shiu”, “Dritaren kërkoj”, “Lumi Ebro”, “Për ty o këngë”, “Manushaqja”, “Esperanca” këngë kubane kënduar po në vitin 1962 në shoqërinë e kompleksit ritmik, këngë nga filmi “Karmen”, “Një zambak i bardhë në gur” etj.

Vaçe Zela ka bashkëpunuar me kompozitorët më në zë të muzikës së lehtë shqiptare, si: Tish Daija, Agim Krajka, Kujtim Laro, Shpëtim Kushta, Avni Mula, Limoz Dizdari, Pjetër Gaci, Aleksandër Peçi, Agim Prodani etj.

Përfundimisht u largua nga skena në vitin 1990. Vaçe Zela u lind në Lushnje më 7 prill 1939 dhe vdiq në Bazel, Zvicër, më 6 shkurt 2014. Vaçe Zela ishte një nga këngëtaret ikonë të skenës shqiptare.

ATA

Pin It