Kryetari i parlamentit, njëkohësisht kreu i partisë Levizja Socialiste për Integrim, Ilir Meta tha se paketa kushtetuese për reformën në drejtësi do të miratohet sa më shpejtë. Ai tha se qytetarët e duan një reformë që të shkund nga themelet drejtësinë ndaj do ta bëjmë sa më shpejt.
“Vullneti i qytetarëve është që të shkundet sistemi i drejtësisë përmes një reforme të thellë. Do ta miratojmë sa më shpejt paketën kushtetuese për të. Duhet më shumë vullnet për të qenë më racional dhe për të bërë një interpretim më objektiv. Kemi ende kohë dhe besoj se vullneti është i plotë për të përmbushur me sukses këtë reformë”, tha Meta.
Ndërsa sa i takon 11 çështjeve të propozuara nga opozita, Meta tha se nuk i shikon si kushte por me 11 çështje që opozita do ti zgjedh sipas sajë.
“Nuk kemi të bëjmë me 11 kushte, sipas meje. Kemi të bëjmë me çështje që PD-ja synon që të zgjidhen sipas këndvështrimit të saj. Me më shumë durim, është e mundur që reforma të përmbyllet, pasi për çdo çështje ka rekomandim nga Komisioni i Venecias. Të gjithë ata që e prisnin përfundimin e reformës dje, janë zhgënjyer, por dje ishte vetëm mbledhja e parë e komisionit të reformës në drejtësi. Për 90% të paketës ka dakordësim, kanë mbetur vetëm disa çështje që kanë nevojë për vlerësim dhe interpretim objektiv dhe funksional”.
Këto deklarata kryetari i Kuvendit Ilir Meta i bëri në një prononcim për median, paraditen e sotme, pas takimit me zyrtarin e Bundestagut gjerman.