Ditëlindja e Profetit (a.s.), është një ngjarje e shënuar, ceremonia e së cilës është quajtur “mevlud” dhe simbolizon dashurinë dhe përkushtimin e besimtarëve myslimanë ndaj Krijuesit dhe krijesës më të dashur te Allahu (xh.sh). Si i tillë, mevludi ngërthen në vetvete veprime të ndërthurura duke filluar nga leximi i Kuranit famëlartë, këndimi i salavateve edhe selameve mbi Muhamedin (a.s), përshkrimit të jetës profetike, duke nxjerrë porosi dhe mesazhe për jetën tonë të përditshme, dëgjimin e ligjëratave dhe porosive hyjnore, e deri te lutja e përbashkët.
Kremtimi i mevludit në trevat shqiptare nuk dihet se kur ka filluar ekzaktësisht, por ajo që dihet është se mevludi i parë i shkruar si krijimtari artistiko-letrare te shqiptarët i takon shekullit XVIII, pikërisht periudhës së Rilindjes Kombëtare, i shkruar nga rilindësi i shquar, Hasan Zyko Kamberi. Ndërsa në fundshekullin e XX-të, libri që ka depërtuar më tepër në shtëpinë e myslimanëve është ai me titull “Mevludi Sherif” i Hafiz Ali Riza Ulqinakut. Sot njihen 20 mevlude të shkruar nga autorë të ndryshëm shqiptarë.
Në fillesat e tij (mevludit) në Shqipëri, besimtarët tradicionalisht informoheshin nga ligjëratat që mbaheshin në xhami, por edhe nga flamujt që vendoseshin nëpër minaret e xhamive. Kështu kur ata shihnin flamujt tek valëviteshin nëpër minare në mos mevludi e kuptonin se kishin të bënin me një ngjarje të rëndësishme. Flamujt gjithashtu nxisnin besimtarët të falënderonin Zotin dhe të përkujtonin lindjen e të dashurit të Tij, Muhamedit (a.s.). Organizimi publik i ceremonisë së Mevludit në trevat shqiptare filloi në dekadën e fundit të shekullit XX, pasi më parë ishte eksluzivitet i xhamive, por edhe në shtëpi besimtarët këndonin mevlud në gjirin e tyre familjar.
Mevludi historikisht është organizuar në formë ceremonie në shtëpi ose faltore, ku këndohen pjesët më të spikatura prej hafizësh ose të tjerëve që kanë zë të bukur. Pas faljes dhe këndimit të mevludit ka qenë zakon qerasja me gjëra të sheqerosura (kryesisht sherbet) më pas këndoheshin salavate e ilahi.
Disa nga adhurimet e tjera që mund të bëhen për mevlud përveç këndimit të Kur’anit Kerim, fragmente nga jeta e Profetit, lutje dhe salavate, mund t’u bëhen dhurata fëmijëve, të jepen ndihma për të varfrit, vizita në varreza, dhurata për veprimtari të dobishme dhe për institucionet bamirëse, etj.