MODELI QË I DUHET NJERËZIMIT

Të gjithë bashkohen se ai është njeriu që la më shumë mbresë dhe ndikim në historinë njerëzore. Mbi të gjitha një njeri i madh, një profet i denjë, një prijës sypatrembur, një diplomat i zoti, një komunikues i shkëlqyer, një paqebërës i vendosur, një falës i devotshëm, një baba shembullor, një bashkëshort i dashur!

Janë vetëm disa cilësi që parë me pasqyrën e shekullit të XXI-të, janë të gjitha cilësitë që i kërkohen një njeriu të suksesshëm sot… sa arrijmë t’i bëjmë ne të gjitha këto (kuptohet përveç profetësisë që ishte e drejtë që Zoti ia dha vetëm atij), kjo është çështja. Askush të mos thotë se vlerat që ai la pas janë mbuluar nga mjegulla e kohës dhe pluhuri i harresës. Ende sot njerëzit kanë nevojë për njerëz besnikë, apo “Emin” siç atë e thërrisnin rrugëve të Mekës, Medinës, Jeruzalemit e Damaskut…

Njerëzit duan paqen e jo më luftën! Dhe ai ishte paqebërësi më i madh… ai shkoi në luftë vetëm kur u sulmua! Ai nuk sulmoi, shau, denigroi, përfoli apo… dikë. Ai shtriu dorën për myslimanë, të krishterë, hebrenj dhe madje edhe për jobesimtarët! Ky ishte misioni i tij PAQJA, mision i cili na bie ne myslimanëve nga një copë si detyrë që ai na e ka lënë.

Njerëzit duan që të jetojnë me trimat… dhe ai ishte i tillë! Por nuk ishte hakmarrës e jo i rrëmbyer si një lumë në vjeshtë. Ai ishte trim sepse mbi të gjitha dinte të ruante rrëmbimin e inatit dhe hasmërisë!

Njerëzit duan të kenë të bëjnë me diplomatë të shkëlqyer që me asnjë komb të mos kenë probleme! Dhe ai ishte një kryediplomat që edhe mbreti i krishterë Nexhashiu e priti me besim. Është ai modeli që i duhet diplomacisë botërore për të sheshuar luftën që ka plasur në Shtëpinë e Ibrahimit…

Njerëzit duan të kenë përballë e të jenë komunikues të shkëlqyer… dhe ai ishte i tillë! Zëri i tij, syri i tij, dora e tij dhe argumenti i tij, zbutën zemra burrash të ashpër që kishin shkuar për ta vrarë… Ai është modeli i komunikimit që njerëzimi kërkon!

Njerëzit kanë nevojë për falje, të mos ndëshkohen për ato që bënë me hir a me pahir… dhe ai ishte falës i madh! Ai besonte se kush fal në këtë botë, i Gjithëmëshirshmi do ta falë në botën tjetër për ato që bëri keq mbi dhé. Ai është modeli i zemërbutësisë dhe sakrificës që edhe vrasësin e komandantit të parë mysliman, Hamzait, dashuria e Allahut qoftë mbi të, e fali…

Njerëzit duan të kenë prindër të mirë e të dashur dhe bashkëshortë idealë… ai ishte i tillë dhe dëshmitarë janë të afërmit dhe pasuesit e tij!

Ai është modeli që njerëzimi ka pasur nevojë, ai është modeli që vetë ne myslimanët ende nuk e kemi kuptuar, ai është modeli që të tjerët e kanë keqkuptuar, ai është modeli që ende ka popuj në botë që nuk e njohin… Ai është modeli që mund ta nxjerrë këtë botë nga bataku i luftës, xhelozisë, pabesisë dhe dredhive.

Paqja dhe bekimi i Allahut, qofshin mbi Të, familjen dhe gjithë pasuesit e tij që nga dita e parë e profetësisë e deri sot!

Pin It