“Moto Fest”, parada ndërkombëtare në Tiranë për të tetin vit radhazi

motofest2011

U mbajt në Tiranë, për të tetin vit radhazi, parada e ndërkombëtare e të apasionuarve pas motorëve “Moto Fest”. Nën organizimin “Fondacionit EDS” dhe “Steel Ëings” dhe me mbështetjen e Bashkisë Tiranë, për tre ditë me radhë motoklube të njohura nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Greqia, Italia, Gjermania etj, dhanë spektakël në rrugët e Tiranës, ndërsa biznese të ndryshme patën mundësi që në këto aktivitete të promovojnë produktet e tyre. Në ditën e tretë, pjesë e “MotoFest” u bë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili falenderoi organizatorët që zgjodhën sërish Tiranën për të zhvilluar këtë event ndërkombëtar dhe theksoi se kjo është një mundësi e mirë për promovimin e Tiranës dhe mundësive turistike që ajo ofron.

“Ky është një aktivitet që e ka mbushur Tiranën me aksione dhe energji pozitive ende pa filluar mirë vera”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj. Ai nënvizoi se me aktivitete të tilla përveçse qytetit i jepet një tjetër ritëm, përcillet edhe mesazhi se ka mënyra shumë të shëndetshme për të jetuar jetën dhe për të dalë nga rutina e përditshme. “Tirana cilësohet sot si një ndër kryeqytetet më të mira për pushime. Më vjen mirë që festivali i motorave është një tjetër skenë ku promovohet qyteti i Tiranës, e që këto tre ditë i kanë dhënë qytetit tonë shumë hare dhe gjallëri. Mezi pres që edicioni tjetër të jetë më i mirë dhe më i madh”, tha Veliaj.

Ai u ndal edhe te kultura e lëvizjes që përcillet te çdo qytetar. “Përdorimi i biçikletës dhe motorit është një mënyrë më efiçente për të manovruar në një qytet të tejngarkuar me infrastrukturë të ndërtuar vetëm për 200 mijë banorë, jo për 1 milion banorë. E di që në kushtet e transformimit të Tiranës, ku kemi hapur shumë kantiere, na duhet që të investojmë shumë në infrastrukturë, të investojmë shumë edhe në kulturë dhe besoj se kjo e sotmja ishte një investim në kulturë, se si mund të përdorim një transport më ekonomik, të jemi të përgjegjshëm në rrugët e Shqipërisë”, deklaroi kreu i Bashkisë.

Veliaj shprehu mirënjohje edhe për qytetarët që, teksa po mbushet një vit nga administrata e re, kanë ndryshuar totalisht kulturën e ecjes dhe lëvizjes në nëpër qytet.

 

Pin It