Myslimani, njeri besnik dhe i sigurisë

musluman

Siç kalon edhe në librat më në zë të hadithit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) në një hadith e përshkruan besimtarin mysliman me fjalët: “Myslimani i vërtetë është njeriu prej gjuhës dhe dorës së të cilit myslimanët janë të sigurt.

Sa herë që artikulohet fjala “mysliman”, përmbajtja e parë që duhet të vijë ndër mendje duhet të jetë: “Njeri, që i është dorëzuar krejtësisht Zotit, kësodore i kryen me përpikëri dhe delikatesë të gjitha urdhëresat dhe ndalesat e Tij, dhe që bën të mundur atmosferë paqësore dhe mbarëvajtjeje aty ku gjendet.”, kuptimi që duhet të vetëkuptohet natyrshëm është se “edhe të tjerët janë të sigurt prej veprimeve të tij, duke e parë atë si një përfaqësues të paqes dhe sigurisë, me pak fjalë njeri i besuar në besën e tij.”.

Të qenët e myslimanëve njerëz që flladisin puhiza sigurie në ambientin e tyre përreth është një pasqyrim i të qenit të pajisur me moralin e lartë hyjnor. Sepse emrat e bekuar “es-Selam” dhe “el-Mu’min” janë ndër emrat e Allahut të Madhërishëm. Siç e dini, në fund të sures Hashr thuhet: “Allahu është Zoti i Vërtetë! Nuk ka zot tjetër veç Tij! Ai është Sunduesi, i Shenjti, i Paqti, Garantuesi, Urdhëruesi, i Plotfuqishmi, Imponuesi, Madhështori!”, vërehet se si këta emra janë përmendur njëri pas tjetrit. Emri Selam ka kuptimin e të qenit i pastër prej mangësive, e që u fal paqe dhe pastërti edhe të gjitha krijesave të veta. Ndërsa emri Mu’min mbart kuptimin e krijimit të besimit në zemrat e njerëzve, që fal siguri, e që e mban premtimin për çdo fjalë të dhënë. Prandaj, nëse Allahu u ka bërë një premtim njerëzve, realizimi i tij do besuar medoemos. Që në fakt, edhe ndjenja e shpresës tek njeriu pikërisht mbi këtë besim ngrihet. Kështu që, të gjithë ata që përpiqen për të fituar moral prej moralit të Allahut (xh.xh.), e cila me fjalë të tjera mund të shprehej si njeriu që i ka vendosur vetes si qëllim përfaqësimin, si me botën e jashtme, ashtu edhe me botën e tij të brendshme, të emrave dhe cilësive të Krijuesit. Ai duhet t’u premtojë siguri njerëzve përreth, në mënyrë që askush të mos shqetësohet se prej tij mund t’i vijë ndonjë dëm apo e keqe; duhet ta besojë Allahun me gjithë fuqinë e zemrës së Tij, dhe me çdo fjalë të lëshuar nga goja e vet duhet t’i qetësojë të gjitha zemrat e tjera që i ndodhen rrotull, dhe pa u kapluar prej kurrfarë shqetësimi duhet të dijë se si të largohet syresh.

Gjatë gjithë jetës së tyre profeteet kanë frymuar veç siguri përreth tyre, duke bërë që zemrat e të gjithëve të ndiheshin përherë të sigurta. Më besniku dhe i sigurti ndër ta, i Dërguari i Allahut, Muhamedi (s.a.s.) pati shpërndarë gjithkah një atmosferë të atillë sigurie, saqë të gjithë njerëzit, kur duhet të shkonin diku dhe donin dikë që t’u linin amanet gratë ose vajzat e tyre, i pari që u shkonte ndërmend ishte Ai. Sepse ata ishin të bindur se Ai (s.a.s.) nuk do të ngrinte as kokën për t’i vështruar qoftë edhe njëherë të vetme ato. Në të njëjtën kohë, Ai ishte një përmendore e edukatës. Ballin e Tij (s.a.s.) e patën mbuluar bulëzat e djersës së turpit kur Hatixhja e nderuar (r.a.) i pati propozuar për t’u martuar. Kaq thellë i kishte hyrë në shpirt kjo ndjenja e sigurisë dhe besnikërisë, të cilën Ai duhej medoemos t’ua frymonte të tjerëve përreth. E posaçërisht sepse ishte i mbushur plot prej një ndjenje të këtillë besnikërie, Ai (s.a.s.) pati fituar besimin e të gjithëve.

E njëjta gjendje duhet të jetë po kaq e kuptimtë edhe për ne sot, që pretendojmë të jemi prej umetit të Tij (s.a.s.). Sidomos heronjtë e horizonteve, të cilët ia kanë dedikuar jetën ndjelljes së dashurisë për Allahun (xh.xh.) dhe të Dërguarin e Tij (s.a.s.) në zemrat e njerëzve, duhet të shpërhapin përherë fllade sigurie, duke formuar një ndjenjë besnikërie dhe sigurie në zemrat e të gjithëve. Asisoj që njerëzit do të mund ta kthejnë lehtësisht shpinën, pa pasur kurrfarë frike, thjesht duke thënë: “Nëse e thotë ai është e drejtë. Ia vlen të besohet çdo fjalë e tij.”. Që në fakt, nëse sot ndodh që njerëzit të jenë të prirë ndaj jush, apo edhe të rendin pas jush, duke ju mbështetur, duhet ta dini se kjo buron pikërisht prej ndjenjës së besimit dhe sigurisë që ju keni ndjellë ndër ta.

Ndoshta njerëzit hulumtojnë aq shumë për ju, madje duke u përpjekur për të mos u vënë re, dhe ju vënë aq shumë në provë, derisa në fund thonë: “Ky njeri është i besueshëm.

Nëse shpirtrat e sotme të dedikimit vazhdojnë ta bëjnë këtë atmosferë të përjetueshme, me lejen dhe ndihmesën e Allahut (xh.sh.), edhe ata që do të takohen me ta në të ardhmen, e që u besojnë kanë për të parë se njerëzit që u kanë besuar nuk janë zhgënjyer asnjëherë, e si rrjedhojë nuk ka se si të ndodhë që të bëjnë qoftë edhe një hap të vetëm pas.

Ata duhet t’i japin vlerë kësaj bote pikërisht sa ç’vlen përkohshmëria e saj, dhe ahiretit për aq sa vlen përjetësia e saj. Sepse, kur i jepni ahiretit vlerën e tij të merituar, atëherë ia rrisni vetvetiu vlerën edhe jetës gjatë kësaj bote. Njerëzit që e jetojnë jetën e tyre pikërisht brenda një ekuilibri të këtillë, janë aq të sinqertë, dhe paraqesin një mirënjohje aq të veçantë, e veprojnë aq besnikërisht e duke falur siguri në çdo anë, sa që çdo gjë që kalon në dorën e tyre përdoret në mënyrën më efikase të mundshme. Nuk ka asgjë që të shkojë dëm. E kështu ndërtohet plotësisht edhe kjo botë. Jo, të mos keni as kurrfarë dyshimi, sepse njerëzit besnikë dhe të besueshëm, të cilët ia kanë falur veten e tyre ahiretit dhe arritjes së pëlqimit të Allahut, ashtu siç ndërtuan dikur Andaluzinë apo Portën e Lartë, e bashkë me to u dhanë formë dhe jetë edhe territoreve përreth, poashtu mund të ndërtojnë edhe botën e ditëve të nesërme.

Nga ky këndvështrim, nëse dikush ia ka dedikuar veten e vet shërbimit ndaj së vërtetës, duhet të qëndrojë përherë larg luksit, duke jetuar një jetë të përkorë e të thjeshtë; ashtu duhet të jetë shtëpia, madje asisoj, që kur të ndërrojë jetë, shokët dhe miqtë e tij të ngarendin majtas-djathtas për të gjetur para sa për t’i blerë qefin. Kurrsesi një njeri i dedikuar ndaj shërbimit nuk mund ta lërë veten e tij të hipotekuar tek pasuria, bota, posti, detyra apo rehatia. Ngase ai ia ka falur edhe zemrën këtij shërbimi, e ngase e ndjen veten rob veç të Allahut (xh.xh.), asgjë tjetër nuk gjasa që t’ia prangosë atij duart e këmbët, apo t’i vendosë kularin e robërisë në qafë. Patjetër që ka edhe njerëz që duan të shërbejnë duke bërë tregti e duke fituar sa më shumë me anë rrugësh të lejuara. Kjo është një çështje, dhe shfaqja e dëshirës së paepur për të shërbyer është një çështje tjetër.

Pin It