Në 103-vjetorin e ditëlindjes, kujtojmë shkrimtaren dhe disidenten shqiptare Musine Kokalari!

Më 20 shkurt 1917, Në Adana, Turqi, lindi nga prindër gjirokastritë, Musine Kokalari (disa sjellin si datë të lindjes 25 tetorin 1918). Musine ishte prozatore, politikane, poete, themeluese e partisë së parë social demokratike në Shqipëri (1941); femra e parë ndër disidentët e parë të viteve të para të jetës nën komunizmin e llojit shqiptar; u përndoq, dënua, internua, harrua, braktis, vdiq në mjerim, e sëmurë rëndë, pa njeri pranë, madje as mjek. Musine, femra e pare shqiptare shkrimtare, e arsimuar në perëndim (Itali), bëri emër letrar në vitet 1930 – ’40; Sejfullah Malëshova i afroi anëtarësim në Lidhjen e Shkrimtarëve (por të dy do të përfundonin burgjeve dhe internimeve).

Pas pushkatimit të dy vellezerve nga komunistët (nëntor 1944), dhe pas një letre dërguar misioneve amerikane britanike ku ajo ankohej se në Shqipëri fjala e lirë po mbytej, më 17 janar 1946 Musine përfundimisht arrestohet dhe më 2 korrik dënohet me njëzet vjet burg. Pavarësisht akuzës (me titullin e frikshëm “ veprime sabotazhi”), fjalët e Musinesë në gjyq tregojnë se ajo dënohej për diçka tjeter: “unë nuk kam nevojë të jem komuniste të dua vendin tim. E dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin e saj. Ju mburremi se keni fituar luftën, dhe tani ju jeni fituesi qe doni të shuani ata që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar për idealet e mia!”

Në vitin 1964, pas 18 vjet në burgun famëkeq të Burrelit, e izoluar dhe nën mbikqyrje të vazhdueshme, Musine Kokalari kaloi 19 vitet e mëtejshme të jetës së saj në internim në Rrëshen, ku vdiq më 14 gusht 1983 nga një sëmundje e rëndë.

Nga kujtimet e saj;

“12 nëntor 1944, mi morën dy vëllezër e shumë veta në lagje (për fat një vëlla i tretë ishte i sëmurë me tifo) i vranë “ushtarët çlirimtarë”. Më 13 nëntor më arrestuan. Më mbajtën në një shtëpi tek lagja jonë. Ndaj të gdhirë…. na shpunë në rrugën Bardhyl. Na përplasën në bimsat e një shtëpie ku qenë shumë të burgosur, të mbledhur andej-këndej. Më mori në pyetje Sylo Kozeli dhe Sotir Polena. Më thanë:

-S’ke bërë luftë.

-S’na latë ju të bënim.

-E ç’ke bërë?

-Jam marrë me shkrime.

Kam botuar libër për fëmijë.

-Libër!!, u përgjigj me injorancë Sylo Kozeli

-Lufta është bërë dhe bëhet me pendë dhe me armë. Ti e bëre me armë, por me pendë, s’je i zoti ta bësh”. (Musine Kokalari, Vepra)

 

“Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim! Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua progresin e tij. Edhe pse ju keni fituar luftën, edhe pse ju keni fituar zgjedhjet, ju nuk mund ti persekutoni ata që kanë mendime të ndryshme politike nga ato tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj!”
Në një prej dokumenteve të Ambasadës Amerikane shkruhet “Dje pas seancës gjyqësore, turma sulmoi furgonin e të burgosurve dhe rrahu keqas të pandehurit. Kokalarit, njërës nga dy gratë e akuzuara i shkulën pothuaj gjysmën e flokëve. Rojet bënin sehir”.

 

Pin It