Njeriu është një kalimtar në këtë botë, edhe pse shumë herë mund ta harrojë këtë. Destinacioni i tij është përjetësia, ndërsa në këtë botë ai i ngjan pasqyrës ku reflektohen manifestimet dhe arti i Zotit të gjithësisë.
Me qëllim që të shfaqë fuqinë e pafund dhe mëshirën e pakufishme, Allahu e ka gatuar njeriun me një dobësi të tejskajshme dhe me nevoja pambarim. Zoti i dhuron atij shëndet, mirëqenie e kënaqësi, që të falënderojë e të kryejë kështu një nga detyrat që ka ndaj Krijuesit. Ndërkohë që i jep edhe fatkeqësi, sëmundje e dhimbje, dhe pret që ai të durojë. Zoti nxit në këtë mënyrë tek njeriu ndjenjën e lutjes, kërkesës dhe mbështetjes tek Allahu. E ndërsa njeriu falënderon për mirësitë, i kërkon Allahut me gjuhë e me gjendje, si dhe duron fatkeqësitë, ai përmbush detyrat e natyrës së vet.
Ajo që më së shumti, vetë njeriu kërkon për këtë botë dhe për tjetrën, është qetësia, siguria dhe lumturia. Njeriu dhe shoqëria s’ka reshtur së kërkuari lumturinë dhe qetësinë e vërtetë, ndërsa e ka gjetur atë vetëm në atmosferën e fesë dhe të besimit.
Ndër pyetjet që herë pas here lexohen në sjelljet e shoqërisë së çdo kohe dhe sidomos në ato të së sotmes është: A mundet që bota të jetë më e qetë dhe shoqëria njerëzore më e lumtur?
Parimisht, mund të themi se te normat fetare janë të shqueshme, themelet më të forta të cilat nxisin përparimin e gjithanshëm, material, shpirtëror, psikologjik e social të individit dhe shoqërisë, e rrjedhimisht prodhojnë qetësinë dhe lumturinë këtu e përtej kësaj bote.
Gjithashtu është e udhës që të studiohen me kujdes periudhat kur shoqëria njerëzore ka qenë e qartë në synimin e vet dhe e sigurt në vlerat që mbartte dhe ruante. Në këtë drejtim Asr-i saadet (epoka kur jetoi Profeti a.s. me shokët e tij), dhe relativisht periudhat kur qeverisën myslimanët e në mënyrë të veçantë bashkëjetesa në qytetërimin andaluzian apo sistemi i qeverisjes te osmanlinjtë, janë periudha burimi krenarie, treguese se si respektimi i normave fetare mund të prodhojë një shoqëri të qetë e të lumtur.
Shumëkujt mund t’i duket subjektive, por edhe në kohët dhe sistemet e tjera, individi dhe shoqëria që ka arritur njohjen dhe arsyen e ekzistencës, i ka harmonizuar marrëdhëniet mes anëtarëve dhe enteve të saj në përpjesëtim të drejtë me respektin ndaj parimeve dhe normave që së pari dhe fondamentalisht feja i mbart, pavarësisht nëse ata kanë qenë të vetëdijshëm apo jo që burimi i këtyre vlerave është feja.
Gjithsesi, në varësi të rrethanave, zhvillimeve dhe nevojave të kohës, në makroplan, studiuesit, katedrat, organizatat dhe sidomos prijësit dhe studiuesit fetarë, duhet të prodhojnë receta në raport me nevojat, ekuilibrat dhe rrethanat e kohës. Ndërkohë, në mikroplan, çdokush, e sidomos çdo besimtar, duhet të mendojë dhe të veprojë në funksion të lumturisë dhe qetësisë së shoqërisë njerëzore.
Në Islam, vlera e njeriut matet me dobinë që ai ka për njerëzit. Më i vyeri i sojit njerëzor, Profeti Muhamed a.s., deklaron: “Më i miri i njerëzve është ai që është më i dobishmi për njerëzit.” Një besimtar i vërtetë dëshiron për të tjerët, së paku, po aq mirësi sa ç’dëshiron për veten e vet. Prandaj sadopak, qoftë me vepra, me nijet, me qëndrim apo çfarëdo lloj kontributi në këtë drejtim, sikurse do t’i vlejë jashtëzakonisht shumë individit, do të shërbejë si një vlerë e shtuar për shoqërinë. Ndodh që një e mirë e vogël të kthehet në një precedent pozitiv nga ku mund të frymëzohen shumë të tjerë me mundësi mjaft më të mëdha.
Islami të mëson të mos nënvleftësosh asnjë të mirë, sado e vogël të jetë ajo. Në këtë kontekst, prirja dhe sjellja jonë duhet të jetë në kërkim të përhershëm të të bërit mirë, me vetëdije të asaj që bëjmë, madje të vlerësojmë e të përshëndesim çdo të mirë, që kushdo kryen, është në vetvete një sjellje e mirë dhe e kërkuar. Historia është dëshmitare se një lutje e sinqertë ka sjellë në jetë Profetë, se dy pika loti që rrjedhin nga pendesa e thellë, mbartin aq mëshirë saqë qyteteve të tëra do t’u mjaftojë…
Pikërisht ajo lutje e sinqertë, në momentin që s’kemi asgjë tjetër në dorë, është një vepër e mirë që ndonjëherë mund t’i kalojë të gjitha pritshmëritë tona. A nuk mjafton si shembull duaja e pranuar e hz. Ibrahimit ndërsa linte në mes të shkretëtirës Haxheren dhe Ismailin a.s., që prej tij të vinin pasardhës të hajrit, që ai vend të shndërrohej në një vend të sigurisë, dhe që të vinte një Profet, madje Vula e Profetëve.
Sikurse në historinë e milingonës që shkoi të shuante zjarrin e ndezur për të djegur Ibrahimin a.s., ndoshta veprat tona mund të jenë shumë modeste në krahasim me nevojën, por Allahu që nga hiçi sjell jetë, që nga një ujë i pisët sjell në jetë njeriun, këtë krijesë të paçmueshme, po ashtu një vepër të vogël, një dua, një përpjekje, një brengë, një punë të sinqertë mund ta bëjë shkak të ndryshimeve të mëdha. Ne besojmë që në bazë të kërkesave dhe përpjekjeve për t’i arritur ato është edhe vlerësimi i Allahut mbi ne. Ne besojmë se qetësia dhe lumturia fshihet në përpjekjen e përmbushjes së detyrimeve që kemi si njerëz.
Në zemrën e besimtarit nuk ka vend për pesimizëm e dëshpërim. Secili prej tyre jeton në bregun e lumturisë, dhe këtë lumturi ato e kanë për detyrë ta shpërndajnë në çdo breg, rrëke a shteg të jetës.
Ndaj edhe lutjet tona janë, që i Gjithëmëshirshmi të mbjellë e të forcojë ndjenjën e mirësisë në zemrat tona e t’i dhurojë edhe një herë qetësi e lumturi shoqërisë njerëzore…