Në pritje të muajit fisnik, Ramazanit…

Jemi së bashku në prag të muajit të agjërimit, i cili është kreatori i energjisë shpirtërore. Është muaji i faljes dhe i mëshirës, në të cilin Allahu i Lartësuar i dhuron amnistinë e Tij hyjnore besimtarëve.

Për jetën e individit, familjes dhe shoqërisë islame, Ramazani shfaqet si një muaj i veçantë, të cilin mund ta emërtojmë si pranvera e jetës islame, sepse përgjatë tij ripërtërihet jeta në tërësi, ripërtërihen mendjet me njohuri, ripërtërihen zemrat me besim e devotshmëri, ripërtërihet shoqëria me unitet e harmoni.

Ramazani është një nga periudhat më të rëndësishme të mirësisë dhe begatisë hyjnore, sepse në të pastrohen e lartësohen shpirtrat, afrohen zemrat te Krijuesi i tyre, hapen dyert e xhenetit dhe mbyllen dyert e xhehenemit.

Është kjo mirëseardhje sublime qiellore ndaj muajit të Ramazanit, që tregon se ky muaj gëzon një pozitë të lartë në sistemin islam të jetës.

Rituali i agjërimit që kryhet gjatë këtij muaji është i karakterizuar me vlera morale, shpirtërore e edukative unikale dhe është pikërisht ky sistem i vlerave, i kristalizuar në këtë adhurim, i cili simbolizon urtësinë hyjnore të Krijuesit të gjithësisë.

Ja se si përshkruhet në Kur’an dispozita obliguese e këtij rituali: “O ju që keni besuar, ju është obliguar agjërimi ashtu siç u ishte obliguar dhe paraardhësve tuaj, që të bëheni të devotshëm.” (Bekare, 183)

Zoti i Madhëruar përshkruan në Librin e Tij urtësinë e obligimit të agjërimit dhe rëndësinë e tij. Ajo fshihet në shfaqjen e devotshmërisë. Është pikërisht kjo një ndër vlerat, dobitë dhe sekretet e legjislacionit islam, që të bindemi se ai është hyjnor, i përhershëm, i shpallur vetëm për të realizuar interesin e njerëzve dhe për të mënjanuar rreziqet, dëmet dhe pasojat që mund të shfaqen në jetën e tyre.

Nën optikën e traditës profetike le të përshkruajmë se si Profeti a.s. u ligjëronte besimtarëve mbi rëndësinë, vlerat, mirësitë dhe begatitë e këtij muaji. Transmetohet se në ditën e fundit të muajit Shaban dhe në prag të muajit Ramazan, profeti Muhamed a.s. ka ligjëruar përpara besimtarëve duke thënë: “O njerëz, është afruar një muaj fisnik dhe i begatshëm, në të cilin gjendet Nata e Kadrit, që vlerësohet si më e mirë se një mijë muaj. Agjërimin e tij Zoti e bëri obligim dhe faljen e teravisë e bëri të pëlqyeshme. Ai që gjatë këtij muaji kryen një obligim fetar, shpërblehet sikur ka kryer shtatëdhjetë të tillë, e ai që kryen një punë vullnetare, shpërblehet sikur ka kryer një detyrë fetare. Ky është muaji i durimit dhe durimi shpërblehet me xhenet. Ky është muaji i barazisë dhe i shtimit të furnizimit (rizkut) të besimtarit; ai që ushqen një agjërues i falen mëkatet, shpëton nga zjarri dhe nuk i pakësohet shpërblimi.” Njerëzit i thanë: “O i Dërguar i Zotit, nuk mundet çdokush prej nesh të ushqejë ndonjë agjërues”, kurse ai tha: “Zoti e shpërblen atë që ushqen agjëruesin qoftë edhe me një hurmë, ujë ose qumësht.”

Në një tjetër hadith Profeti a.s. i është drejtuar kështu besimtarëve: “O njerëz. Ju ka ardhur muaji i Allahut të Madhëruar, muaji i begative, mëshirës dhe faljes, muaji më i lartë tek Allahu. Ditët e këtij muaji janë më të vlefshmet, netët e këtij muaji janë më të mirat, orët e këtij muaji janë më të bekuarat. Është muaji në të cilin jeni të ftuar tek Allahu si miqtë më të respektuar të Tij. Është muaji në të cilin shikimi është lartësim i Allahut dhe gjumi është adhurim, është muaji kur pranohet lutja dhe shumëfishohet shpërblimi për veprat. Kërkoni, pra, me zemër të pastër dhe qëllim të sinqertë bekimet e Allahut për mbajtjen e agjërimit gjatë këtij muaji dhe lexoni Kur’an për hir të Tij. Atij që i mohohet falja e mëkateve në këtë muaj, është njeriu më i pafat. Uria dhe etja e këtij muaji le t’ju sjellin ndërmend urinë dhe etjen e Ditës së Kiametit…”

Duke medituar në porositë profetike, çdo besimtar duhet të vlerësojë parimet e etikës islame. Profeti Muhamed a.s. gjatë muajit të Ramazanit e shtonte adhurimin. Ai ishte më zemërgjerë se njerëzit e tjerë dhe veçanërisht gjatë Ramazanit. Gjatë këtij muaji ai shtonte bamirësinë, leximin e Kur’anit, namazin dhe përmendjen e Allahut.

Në këtë mënyrë ai i inkurajonte besimtarët në lutje e adhurim, i mbushte zemrat e tyre me begatitë që dërgoheshin ato ditë dhe i frymëzonte shpirtrat me të mirat e agjërimit.

Përgatituni, pra, o besimtarë për muajin e Ramazanit. Edukohuni me edukatën e tij dhe fitoni dobi prej urtësive dhe sekreteve të tij.

Ejani, o besimtarë, sepse janë hapur dyert e parajsës.

O ju që keni bërë lëshime, ejani, sepse Zoti po ju ofron Mëshirën e Tij.

Burimi: Drita Islame

 

Pin It