“Neglizhenca është vrasësja më dinake”

 

??????????????

Kanceri i qafës së mitrës është një ndër tumoret e shpeshta që po rrezikon shëndetin e gruas edhe në vendin tonë. Bluzat e bardha vënë në dukje faktin se shpesh herë neglizhenca në kryerjen e diagnostikimeve të hershme e rëndon edhe më shumë bilancin e përhapjes së kësaj sëmundjeje.

“Ndryshimet e pakontrolluara dhe jonormale të qelizave në qafën e mitrës janë ato që përbëjnë fillimin e një kanceri. Këto ndryshime në fillim janë të padallueshme nga femrat”, thotë doktoreshë Mimoza, obstetër-gjinekologe me një përvojë rreth 35-vjeçare.

Në të shumtat e rasteve në momentin që ato ndiejnë dhe e kuptojnë ndryshimin që po u ndodh është vonë dhe kanceri mund të ketë avancuar. Kjo bën që ky kancer të ketë një vdekshmëri të lartë, pasi rastet kapen vonë. Kanceri i qafës së mitrës ka një fazë që quhet faza prodromale, që është ajo fazë, ai moment kur jemi përpara se të lindë një kancer. Këtu ndryshimet qelizore, të cilat mund të konstatohen me një test të thjeshtë (Pap-Test), mund të tregojnë fare mirë rrezikun. Në këtë fazë me një trajtim të vogël kanceri shërohet plotësisht.

Duke qenë se ky kancer është i shërueshëm, pra gjithmonë nëse kapet në kohë, në fazën fillestare, atëherë duhet me patjetër që femrat të mos e neglizhojnë këtë pjesë dhe t’i drejtohen mjekut e të kontrollohen rregullisht. Që pas kontaktit të parë seksual e deri rreth moshës 65-vjeçare, femra duhet të vazhdojë e të kontrollohet të paktën çdo dy vjet. Kjo analizë është fare e thjeshtë, nuk është hiç e dhimbshme dhe me të kuptohet qartësisht nëse ka apo jo ndryshime qelizore, të cilat mund të sjellin kancer. Fushatat sensibilizuese kanë dhënë rezultatet e tyre, por ato duhet të vazhdojnë pasi neglizhenca dhe me raste, edhe mungesa e informacionit vazhdon të haset”.

Mes shkaktarëve të ndryshëm, më kryesorët janë infeksionet seksualisht të transmetueshme, por mes këtyre infeksioneve në gati 90 për qind të rasteve, shkaktari është virusi Human Papillomavirus (HPV -Virusi i Papilomës Njerëzore), një virus që mbetet i fshehur në organizëm pa dhënë shenja sëmundjeje ”, tregon gjinekologia Mimoza Keta. “Ekzistojnë rreth 100 lloje të këtij virusi, që transmetohet vetëm me anë të marrëdhënieve seksuale, por vetëm 6 janë ndër më agresivët që shkaktojnë edhe kancerin në qafën e mitrës. Këtu duhet theksuar se ndër më të rrezikuarat janë femrat që kanë më shumë se një partner dhe që kryejnë marrëdhënie të pambrojtura.
Nga kanceri i qafës së mitrës mund të preken të gjitha femrat, por natyrisht ka disa faktorë që mund të rrisin mundësinë e shfaqjes së tij. Rrezikojnë më shumë të hasin një kancer në qafën e mitrës ato femra që kanë pasur një të afërme të tyre, si motra, nëna apo gjyshja, e cila ka vuajtur nga kjo sëmundje, pra faktori trashëgues. Rrezikojnë femrat që konsumojnë duhanin, femrat që e kanë filluar herët aktivitetin seksual, femrat që kanë partnerë të shumtë. Ndërkohë që nuk duhen anashkaluar faktorët që thamë, pra infeksionet. Rrezikojnë shumë femrat që kanë pasur një infeksion seksualisht të transmetueshëm, këtu përfshihet edhe HIV-i. Këto femra rrezikojnë pasi kanë imunitetin e ulët.

Doktoreshë Mimoza thotë se krahas kontrolleve të vazhdueshme ekziston edhe vaksina si masë parandaluese për shfaqjen e kancerit në qafën e mitrës. “Krahas kontrolleve është e këshillueshme që të përdoret edhe vaksina kundër HPV-ës. Sigurisht kjo vaksinë, e cila realisht është disi e kushtueshme, ka sjellë diskutimet e saja në rrafshin shkencor. Të shumta janë studimet ku diskutohen efektet anësore ose vetë efektshmëria e vaksinës ndaj virusit, por duhet thënë se efikasiteti i saj është vënë re, se është më i madh te femrat që këtë vaksinë e kanë marrë përpara kryerjes së kontaktit të parë seksual. Ndaj mosha e rekomanduar më shumë është për vajzat nga 9 deri në 26 vjeçe”, thotë gjinekologia Keta, e cila thekson se vaksina nuk lufton të gjitha llojet e HPV-ës, por vetëm ato më agresivet, ndërsa kujton se bërja e kësaj vaksine nuk eliminon nevojën e kryerjes së “Pap-test”-eve.

Ndër faktorët kryesorë të rrezikut për zhvillimin e Kancerit të Qafës së Mitrës:

►Gjendjet patologjike që dëmtojnë sistemin e mbrojtjes imunitare të organizmit, veçanërisht të sëmurët me AIDS ose personat e infektuar nga virusi që shkakton këtë sëmundje (HIV). Kur sistemi imunitar i organizmit vuan, ai nuk arrin dot as të luftojë me sukses praninë e HPV në organizmin e gruas dhe as të shkatërrojë qelizat e dëmtuara nën veprimin kancerogjen të virusit.

►Pirja e duhanit

Gratë që pinë duhan janë dy herë më të rrezikuara për të zhvilluar kancer të qafës së mitrës, krahasuar me gratë e  tjera.

►Përdorimi për një kohë të gjatë i kontraceptivëve (tabletat që merren për mënjanimin e barrës së padëshirueshme) nga goja. Përdorimi për një kohë të gjatë i kontraceptivëve që merren nga goja për mënjanimin e barrës së padëshirueshme e ekspozon gruan ndaj një rreziku më të madh të zhvillimit të kancerit të qafës së mitrës. Rreziku nga përdorimi i kontraceptivëve bëhet më i madh sa më e gjatë të jetë koha e përdorimit të tyre, por me ndërprerjen e përdorimit, rreziku fillon të ulet gradualisht deri sa zhduket plotësisht.

►Lindjet e shumta

Gratë që kanë kryer 3 ose më shumë lindje janë më të rrezikuara për zhvillimin e kancerit të qafës së mitrës.

►Fillimi  i raporteve seksuale përpara moshës 18 vjeç

Qelizat që veshin mukozën e qafës së mitrës në moshën e adoleshencës, janë akoma të papjekura plotësisht dhe për rrjedhojë, janë më delikate dhe më të ndjeshme ndaj veprimit dëmtues të agjentëve të ndryshëm duke përfshirë dhe HPV.

► Prania e sëmundjeve apo infeksioneve seksualisht të transmetueshme (IST);

Infeksionet e ndryshme që transmetohen me rrugë seksuale, veçanërisht kur kombinohen dhe me faktorë të tjerë, mund të veprojnë si një faktor favorizues në zhvillimin e Kancerit të qafës së mitrës.

►Dieta dhe mënyra e ushqyerjes

Ashtu si për një shumicë formash të kancerit, dieta hiperkalorike dhe mbipesha, si dhe dieta e varfër në fruta dhe perime rrit mundësinë e zhvillimit të kancerit të qafës së mitrës.

►Trashëgimia

Në përgjithësi, trashëgimia, nuk mendohet se luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e Kancerit të qafës së mitrës. Megjithatë, tek gratë të cilat kanë pasur të afërm (nënë, motra ose gjyshe) që kanë vuajtur nga kanceri i qafës së mitrës është vënë re një rrezik relativ më i lartë krahasuar me gratë e tjera.

 

 

Pin It