Nënshkruhet marrëveshja: Kosovë-Maqedoni, lëvizje pa pasaporta

326084

Ka kaluar në Komisionin parlamentar për Politikën e Jashtme marrëveshja mes Maqedonisë dhe Kosovës, për lëvizjen vetëm me letërnjoftime të qytetarëve të këtyre dy vendeve dhe pritet që të ratifikohet të hënën nga Kuvendi, në Shkup.

Shtetasit e dy vendeve do të mund të kalojnë kufirin vetëm me letërnjoftime biometrike, që nga muaji i ardhshëm, nëse marrëveshja ratifikohet së shpejti edhe nga Kuvendi i Kosovës.

“Që të mund të bëhet e plotfuqishme kjo marrëveshje dhe të bëhet pjesë e sistemit juridik në dy vendet, propozohet miratimi i saj nga ana e Kuvendit. Kjo marrëveshje nuk kërkon ndryshime të tjera ligjore dhe, për zbatimin e saj nuk nevojiten mjete shtesë nga buxheti i shtetit”, tha Zvonimir Popoviç, përfaqësues i MPJ-së në Maqedoni.

Marrëveshja për lëvizjen pa pasaporta u firmos në fillim të këtij muaji, në Prishtinë, nga ministrat e Jashtëm të Kosovës dhe Maqedonisë, Hashim Thaçi dhe Nikola Poposki, të cilët paralajmëruan edhe hapjen e pikës së përbashkët kufitare, Stançiç-Belanoc.

Pin It